Policia e Kosovës ka njoftuar të shtunën se ka shkatërruar një plantacion me 20 mijë bimë narkotike, që dyshohet të jetë kanabis, në brezin kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas njoftimit të Policisë, në bashkëpunim me Policinë e Shqipërisë, është arritur identifikimi i plantacionit në Koshare, në brendësi të territorit të Kosovës. Plantacioni ishte në një sipërfaqe rreth një hektar.
“Zyrtarë policorë nga DRPK-Perëndimi, që në ora 01:30, datë 16.09.2023, kanë filluar të zbatojnë një plan operativo-taktik. Në ora 03:00 njësitet policore kanë qenë në vendin ku janë mbjellë bimët narkotike (kanabis). Në brezin kufitarë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, në Koshare, në afërsi të Piramidës C4, në brendësi të territorit të Republikës së Kosovës, në një sipërfaqe rreth një hektar, janë gjetur të mbjella rreth 20 mijë bimë, dyshohet të jenë kanabis”, thuhet në njoftim.
Për rastin janë njoftuar njësitet relevante të Policisë dhe Prokuroria e Gjakovës.
“Lidhur me rastin, falënderojmë Policinë e Shtetit për bashkëpunim dhe koordinim në trajtimin e këtij rasti”, vijon njoftimi.