Presidenti i Maqedonisë për vizitën e Kurtit: Ai erdhi ta nderonte mentorin e tij, Demaçin

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në një intervistë për “KOHA.mk” ka thënë se nuk e ka problem ta kuptojë logjikën e kryeministrit Albin Kurti për vizitën që pati në Çair e Tetovë disa javë më parë.

Pendarovski ka thënë se edhe vetë do të vepronte ngjashëm po të ishte në vend të Kurtit. Por, ai ka shtuar se problem e kishte ikonografinë që u paraqit.

“Unë nuk kam asnjë problem ta kuptojë logjikën e Albin Kurtit për vizitën e tij. Edhe unë nëse do të isha në vend të tij do të vija. Ai erdhi këtu të bëjë nder për një rrugë që e emërtuam me emër të mentorit të tij më të madh politik, Adem Demaçi. Por ikonografia, e cila shihej pas paraqitjes së tij, ishte irrituese në këto konstelacione në të cilën ka ndjenja dhe emocione të nxehta mes shqiptarëve dhe maqedonasve, sidomos në dy vjetët e fundit për atë që po ndodh me bullgarët, bllokadat drejt Evropës, demonstrata, mitingje për atë arsye e kështu me radhë. Kurti në paraqitjen e tij në Tetovë e Çair nuk tha asnjë fjalë kundër Maqedonisë e kundër popullit maqedonas. Ai në asnjë sekondë nuk ka keqpërdorur mikëpritjen e shtetit këtu”, tha Pendarovski.

Pendarovski ka thënë se problem për të ishin “videot e incizuara” të kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami, “Mirë se erdhe në Shqipëri”.

“Mendoj se edhe ato hartat e ‘Shqipërisë së Madhe’ që u paraqitën, nuk ishin problem më i madh, në çdo miting ka shumë lloj të njerëzve, ka procedurë, do të ketë padi dhe gjykata do të tregojë me emër dhe mbiemër nëse ai person ka shkelur ndonjë ligj. Mua në gjithë atë situatë më befasuan videot që ishin incizuar nga miku i im Bilall Kasami. Nuk ishte e nevojshme të incizosh video duke thënë ‘Mirë se erdhët në Shqipëri’. Tani, të mendojmë nëse dikush nga komuniteti serb vjen këtu, si Vuçiqi për shembull, dhe t’i thuhet ‘Mirë se erdhët në Serbi’, apo ‘Serbinë e Vjetër’. Tani isha në Pustec, në Shqipëri, me homologun tim dhe mikun Bajram Begaj. Tani nuk mund të them në atë fshat ‘Mirë se erdhët në Maqedoni’”, ka thënë Pendarovski.

Pendarovski ka thënë se ai ka komunikim të shkëlqyer me Kurtin dhe me Kasamin.

“Në mbrëmjen e 11 shtatorit, është planifikuar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup, që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe unë që bashkërisht të zbulojmë një bust të Nënës Terezës. Këto janë gjeste që i bashkojnë njerëzit e nuk i ndajnë. Kush është ai maqedonas, apo shqiptarë, apo indian i cili ka diçka për të thënë diçka kundër Nënës Terezë. Dhe këto janë veprime, është propozim i presidentes kosovare dhe unë me kënaqësi e pranova këtë. Këto janë veprime, për dallim nga disa fqinjë tonë të Ballkanit, ky heroi vetëm këtë apo atë, jo. Nëna Tereza është e të gjithëve, e gjithë botës e sidomos e gjithë atyre që dëshirojnë që veten ta definojnë para se gjithash si njeri”, tha Pendarovski.