Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se është finalizuar Udhëzimi Administrativ, sipas të cilit është ndaluar përdorimi i disa prej llojeve të qeseve të plastikës dhe disa të tjera janë bërë me pagesë.
Në një konferencë për medie së bashku me shefin për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, Aliu tha se ndalimi i qeseve të plastikës nga 0 deri 25 micron do të jetë i menjëhershëm. Sipas tij ato do të lejohet të përdoren vetëm për fruta.
Ndërsa për qeset prej 25 deri në 50 mikron ministri Aliu deklaroi se do të lejohet përdorimi i tyre por që do të jenë me pagesë dhe se nuk do të kenë logo të prodhuesve.
“Me udhëzimin administrativ që ka të bëjë me qeset e plastikës do të ju informoj se do të kemi ndalim të qeseve të plastikës nga 0 deri 25 micron. Pra qeset e holla të plastikës të cilat përdoren sot dhe mund të merren në markete falas do të ndalohen plotësisht. Nga 0 de 25 micron do të lejohen vetëm qeset të cilat përdoren për fruta e nuk do të kenë ato mbajtëset. Ndërsa qeset nga 25 deri në 50 micron do të lejohet përdorimi i tyre dhe do të kushtojnë 5 cent por nuk do të lejohet që të kenë logo të prodhuesve”, tha Aliu.
Ai ka thënë se do të kemi ndalim të prodhimit, importeve dhe shitjes në treg të qeseve plastike mbajtëse që nuk janë të biodegradueshme. /EO/