Pas ceremonisë hapëse të Samitit Global të Partneritet për Qeveri të Hapur (Open Government Partnership), organizatë kjo ndërkombëtare në të cilën Kosova u anëtarësua në muajin gusht, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u takua me Kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas.
Krahas anëtarësimit të Kosovës në OGP, rolin e saj në këtë organizatë dhe kontributit që synon ta japë, në këtë takim dypalësh, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale, fushat e bashkëpunimit dhe sfidat e përbashkëta që dy rajonet kanë me fqinjët autoritarë e agresivë, përkatësisht Serbinë dhe Rusinë.
Kryeministri Kurti e njoftoi homologen estoneze për situatën aktuale në vendin, progresin e gjithmbarshëm, arritjen kryesore të qeverisjes dhe reformat e ndërmarra në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike dhe digjitalizimit.
Ai e falënderoi kryeministren Kallas për mbështetjen, bashkëpunimin dhe partneritetin e Estonisë. Në këtë takim, ai ishte i shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës për Estoni, Shkëndije Geci Sherifi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.