Lirohen nga paraburgimi tre të arrestuarit për aferën e rezervave shtetërore

Dy zyrtarët e MINT-it, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara si dhe biznesmeni Ridvan Muharremi janë liruar nga paraburgimi pasi ishin arrestuar si të dyshuar për dallavere me blerjen e rezervave shtetërore.

Vendimin për lirimin e tyre nga paraburgimi e ka marrë Gjykata e Apelit.

Kjo është konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” nga avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi.

“Tretë janë liruar”, ka thënë Halimi.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit thuhet se të dyshuarit lirohen menjëherë të mbrohen në liri.

“Me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të pandehurve Irfan Lipovica., av. Durim Osmani dhe av.Feim Alaj, Haviz Gara , av. Bekim Kelani dhe Ridvan Muharremi, av.Mahmut Halimi, NDRYSHOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, PPPS.nr.35/2023 i datës 19.08.2023, ashtu që të pandehurve I.L., H.G .dhe R.M., ju ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtit lirohen menjëherë për t’u mbrojtur në liri, sot me datë 31.08.2023”, thuhet në vendimin e Apelit.

Një ditë pasi ishin arrestuar, më 19 gusht,  Gjykata Themelore në Prishtinë ua kishte caktuar nga një muaj paraburgim dy zyrtarëve Haviz Gara dhe Irfan Lipovica si dhe biznesmenit Ridvan Muharremi që ishin arrestuar për aferën e rezervave shtetërore.