Në Ulpianë e Dardani të Prishtinës vetëm gjatë gushtit KEDS instaloi 19 transformatorë të rinj

KEDS ka vazhduar me investime masive në Prishtinë. Në zemër të kryeqytetit, në lagjet Ulpiana e Dardania, vetëm gjatë muajit gusht KEDS ka instaluar 19 transformatorë të rinj dhe 22 kthina të reja.

Ky investim, përveçse nënkupton infrastrukturë komplet të re, kanale me gypa, kabllo e puseta, përfshin edhe eliminimin e infrastrukturës së vjetër në këto lagje në të cilën nuk ishte investuar për dekada me radhë.

E veçanta e këtyre transformatorëve të rinj është kapaciteti i tyre që u përshtatet linjave 20kV, krahasuar me ata të vjetrit, kapaciteti i të cilëve ishte 10kV. Rrjedhimisht, banorëve të këtyre lagjeve tashmë u është dyfishuar tensioni i energjisë, çka garanton një stabilitet energjetik edhe për disa dekada të ardhshme. Mbi të gjitha, e tërë kjo infrastrukturë elektroenergjetike e instaluar në këto dy lagje do të pasohet edhe me lidhjen unazore ndërmjet Nënstacioneve, e cila lidhje në rast të një defekti të mundshëm, energjizohet nga ana tjetër. Pra, në të ardhmen konsumatorët do të furnizohen pa ndërprerje me energji elektrike edhe në rastet kur linja e tyre është jashtë funksionit.

Instalimi i këtyre transformatorëve është kyç edhe për efiçiencën e energjisë elektrike. Sa më shumë transformatorë të tillë të rinj do të thotë edhe më pak humbje të energjisë gjatë shpërndarjes.  Transformatorët e rinj në këto lagje nuk janë vetëm pjesë e një zinxhiri infrastrukturor energjetik, por janë edhe pjesë e një transformimi të drejtë energjetik për një rrjet të digjitalizuar, i cili deri më tash është bërë në masë të madhe.

Ky projekt madhor i KEDS-it jo vetëm që ka përmirësuar demografinë energjetike, duke u dhënë edhe pamje më të bukur urbane këtyre lagjeve, ai premton edhe një sërë përfitimesh për konsumatorët tanë, duke ua përmirësuar e lehtësuar atyre kushtet e jetesës.

Projektet për ndërrimin e transformatorëve të tillë do të vazhdojë në ditët e në javët në vazhdim edhe nëpër lagjet e tjera të Prishtinës.

Instalimi i këtyre transformatorëve është bërë në vazhdën e implementimit të afër 90 projekteve që aktualisht po realizohen në mbarë rajonin e Prishtinës.