Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), Sami Mazreku, i ftuar në ‘Lajmet Qendrore’, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Ai tha se që nga fillimi i implementimi të vendosjes së stikersave në vetura, ka një ulje drastike të numrit të veturave të paregjistruara dhe pa siguruara në Kosovë.
Po ashtu në rënien e numrit të veturave të pasiguruara dhe paregjistruara kanë ndikuar edhe pajisjet digjitale të përdorura nga ana e Policisë së Kosovës. Implementimi i detektimit të veturave të paregjistruara, sipas drejtori të BKS-së, Sami Mazreku ndikon shumë që të rritet edhe siguria në trafik. Mazreku ka falënderuar Gazmend Hoxhën, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës për bashkëpunim.
Ai tha se me vendosjen e stikersave nëpër veturat e Kosovës, nga 237 mijë vetura sa kanë qenë para dy viteve tani janë vetëm 18 mijë ose 19 mijë që i bie se numri ka rënë mbi 30%.
“Pra qëllimi ka qenë që edhe t’i lehtësojmë procedurat edhe t’i heqim barrierat dhe në anën tjetër ne si industri e sigurimeve të lehtësojmë procedurat dhe të mos kemi në trafik vetura të paregjistruara. Stikersat kanë qenë njëfarë ombrelle dhe përfundimi i asaj që ka qenë një hap i fundit që ne t’i ndihmojmë Policisë që këto vetura t’i detektojë dhe t’i dallojë në trafik”, tha Mazreku.
Drejtori i BKS-së, ka folur edhe për diasporën e Kosovës, e cila në muajt e verës vjen në Kosovë dhe çështjen e sigurimit kufitar. Ai tha se janë mbi 250 mijë vetura që vijnë nga diaspora.
RTK ka raportuar më parë për keqpërdorimin e sigurimeve të automjeteve në trafik përkatësisht orkestrimin e aksidenteve, për këtë drejtori i BKS-së, tha se po bashkëpunon për Policinë dhe disa dosje janë dërguar në institucionet e Kosovës.
I pari i BKS-së, ka folur edhe për shumën e dëmeve që kanë paguar kompanitë e sigurimeve si dhe Byroja për aksidentet, që janë rreth 8 milionë euro apo 30 për qind më shumë.