Hajdari: Nuk shoh asnjë arsye për dorëheqje


Ministrja e Industrisë Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se nuk sheh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje, pas arrestimit të dy zyrtarëve të MINT-it dhe një biznesmeni nën dyshimin për dallavere me furnizim të rezervave shtetërore. Në një konferencë për media, e pyetur për këtë opsion, ajo ka thënë se s’ka as dyshime te zyrtarët e arrestuar.

“Sa i përket dorëheqjes sime, unë s’e shoh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje dhe të them me përgjegjësi e siguri të plotë, dhe nuk shoh asnjë arsye e as thjesht dyshim te zyrtarët që janë të ndalur sot”, ka thënë ajo.

Hajdari ka pranuar se në qershor sivjet, MINT-i ka njoftuar Avokaturën Shtetërore për inicim të procedurës gjyqësore se “3 për qind e furnizimit total me rezerva shtetërore në vitin 2022 është vonuar”.

“Nga kontratat për furnizim për blerjen e rezervave shtetërore për vitin 2022, ndonëse do të kisha dashur të ndaj më shumë për ju, për shkak të ligjit mund të njoftoj se vetëm 3 për qind të totalit të furnizimit kemi pasur vonesa më 2022. Për të cilat vonesa më 8 qershor 2023 është njoftuar edhe avokatura shtetërore nga zëvendëssekretari ynë për inicim të procedurës gjyqësore”, ka deklaruar ministrja.

Po ashtu ka pranuar se janë bërë pagesa avanc duke thënë se këtë ia mundësojnë dy ligje.

“Në shkurt të 2022-s kur nisi lufta në Ukrainë dhe ministria ishte në sfidë për të siguruar grurin dhe të tjera produkte për mbijetesë, në ligjin për ndarjen buxhetore, ligji i prokurimit, MINT-i ka paguar avans për të sjellë grurin nga tregtarët me të cilët ka negociuar, operatorët dhe ka kërkuar nga ambasadat e ministritë homologe, komisione që të bëjnë negocimin”, ka thënë Hajdari.

Hajdari ka thënë gjithashtu se pret që të mos ketë cenim të sigurisë shtetërore, pas nisjes së hetimeve, të cilat ka shtuar se i mirëpret. Megjithatë, ka akuzuar Policinë se në këtë ministri kërkesën për pranim-dorëzim të provave lidhur me dyshimet për dallavere në rezervat shtetërore, i ka bërë kundërligjshëm. Hajdari ka thënë se dokumentet që janë marrë si prova në Ministri kanë qenë të klasifikuara si sekrete shtetërore.

“Policia e njësisë hetuese s’ka prezantuar ceritfikatë të sigurisë sekrete. Pra kërkesa e Policisë për pranim-dorëzim të këtyre provave ka qenë në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar”, ka thënë ajo.

Është lavdëruar për rritjen e buxhetit për rezerva shtetërore që ka thënë se i ka gjetur “në greminë, e të vjedhur, e duke cenuar sigurinë kombëtare të popullatës”.

Ajo është ankuar në mungesë të punës në prokurori e gjyqësor duke thënë se janë mbi 20 lëndë që si ministri i kanë dorëzuar tek institucionet e drejtësisë qe dy vjet, e “s’ka pasur asnjë zhvillim për to”.