Gjykata e Apelit e Kosovës i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve A.P, H.G, dhe G.Z, të cilët dyshohen për përfshirje në rastin e 4 gushtit në “Bon Vivant”, ku si pasojë e të shtënave me armë vdiq një 39-vjeçar.
“Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PPRKR.nr.190/2023, të datës 06.08.2023, të pandehurve A.P, H.G dhe G.Z i ’u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri A.P ka kryer veprat penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi l.5 të KPRK, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK, përdorimi armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 367 paragrafi 2 të KPRKK dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 të KPRK, i pandehuri H.G për veprat penale pjesëmarrje në rrahje nga neni 187 të KPRK dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi l të KPRK si dhe i pandehuri G.Z për shkak të veprës penale pjesëmarrje në rrahje nga neni 187 të KPRK.
Gjykata e Apelit me aktvendimin PN1.DKR.nr.876/2023, të datës 16.8.2023, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve A.P, H.G dhe G.Z, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PPRKR.nr.190/2023, të datës 06.08.2023, e ka vërtetuar. Në arsyetim të aktvendimit Gjykata e Apelit ka theksuar se gjykata e shkallës së parë drejtë ka arsyetuar se nga shkresat e lëndës respektivisht nga provat e mbledhura deri me tani ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe po ashtu nga provat e mbledhura deri me tani janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 184 par.1 nen par.1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPRK-së, që janë kushte qenësor për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në komunikatë për media.
Ndryshe, si pasojë e një incidenti në kafiterinë ‘Bon Vivant” në Prishtinë një person ka humbur jetën dhe 17 të tjerë janë plagosur.
Viktima ishte 39-vjeçar.
Ndryshe, njëri nga të dyshuarit për përfshirje në incidentin në kafiterinë e Prishtinës “Bon Vivant” mbrëmjen e së premtes mësohet të jetë i kërkuar edhe nga FBI-ja.
I njohur me pseudonimin “Duka”, Dukagjin Nikollaj kërkohet edhe nga FBI-ja për trafikim narkotikësh.
Bazuar në fletëkërkimin e FBI-së, bëhet e ditur se 40-vjeçari ishte i përfshirë në trafikim të marihuanës në periudhën e viteve 2003-2007.