Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur dje në takim njoftues ministrin e sapoemëruar të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Sipas njoftimit të presidencës, me këtë rast, Osmani e uroi ministrin Maqedonci duke i dëshiruar suksese në punë.
“Presidentja Osmani vlerësoi lartë arritjen e deritanishme në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa theksoi rëndësinë e angazhimit të mëtutjeshëm në avancimin e FSK-së në zhvillimin e plotë të kapaciteteve profesionale e operacionale në përputhje me standardet e NATO-s”, thuhet në njoftim.
Osmani siguroi se Ministria e Mbrojtjes do ta ketë gjithmonë përkrahjen e pakursyer të saj.
Nga ana tjetër, ministri Maqedonci e falënderoi Osmanin për mbështetjen dhe u zotua se do të angazhohet maksimalisht në përmbushjen e detyrave.