Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka njoftuar se qumështi “Perfetto” 2.8 përqind me origjinë nga Maqedonia Veriore mban datë skadence dhe se nuk i plotëson kriteret ligjore për konsum.
“Pas hapjes së disa mostrave është vërejtur se qumështi ka ndryshuar vetitë organoleptike, ka koaguluar, shihen dromcat ( ka filluar prishja). Sasi e gjetur në disa markete është asgjësuar menjëherë. Në anën tjetër është urdhëruar distributori të bëjë tërheqjen e produktit nga të gjitha pikat shitëse, në tërë territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Konsumatorëve u është bërë thirrje që nëse hasin në shitje qumështin e brendit “Perfetto’’ 2.8% yndyrë me datë skadimi 20.08.2023 paketimi 1L, të lajmërojnë autoritetin dhe nëse e kanë blerë ta kthejnë atë në pikën shitëse.
Produktet qumësht të brendit “Perfetto’’ 2.8% të datave tjera të skadimit nuk janë të dyshimta.