Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për vrasjet e fundit në vend.
Sipas Haradinajt siguria publike po cenohet nga mungesa e vizionit të Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).
“Qasja e gabuar e Qeverisë dhe e MPB duke zhvendosur elementin kyç në shoqëri, sigurinë publike, brenda agjendës së saje puro politike, kanë bërë që elementet me prirje kriminale të organizohen në banda të cilat sot cenojnë të papenguara jetën e qytetarëve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Sipas tij, fatkeqësisht siguria publike ne vend, “tashmë është duke u sfiduar nga banda të armatosura të cilat nuk zgjedhin as cak e as vend për të terrorizuar qytetarët”.
“Vrasjet e ditëve të fundit, përfshirë edhe vrasjen e një shtetasi të huaj, janë treguesi më i mirë për pasigurinë dhe kërcënimin që ju kanoset qytetarëve si në rrugë, ashtu dhe në ambiente publike, lokale hoteliere e gjetiu”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka ngritur dyshime se “Mungesa e përkushtimit të Qeverisë … për të parandaluar këto lloje të krimeve … “ka për qëllim zhvendosjen e vëmendjes së opinionit nga skandalet dhe aferat e shumta korruptive të Qeverisë”
“Mungesa e vizionit dhe përkushtimit të qeverisë e MPB, ngritë dyshime të shumta se ky nivel i lartë i cenimit të sigurisë publike dhe neglizhenca institucionale për të parandaluar këto lloje të krimeve nga të cilat çdo ditë është duke u tronditur vendi, ka për qëllim zhvendosjen e vëmendjes së opinionit nga skandalet dhe aferat e shumta korruptive të qeverisë, ku së fundmi u mësua edhe për planifikim të kontrabandës ndërkombëtare me armë nga ana e sekserëve të afërt me qeverinë”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij “shfaqja e krimineleve me maska siç ishte rasti i mbrëmshëm në komunën e Skenderajt ku mbeti i vrarë një qytetar dhe u plagosën tre të tjerë, nxjerr në pah pafuqinë e qeverisë si dhe guximin e grupeve kriminale për të vepruar”.
“Objektivisht qytetari ka mbetur i pambrojtur, i papërkujdesur nga kjo qeveri e cila ka mungesë të madhe profesionale për të trajtuar çështje komplekse siç është siguria. Kjo qeveri do të mbahet përgjegjëse për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në vend. Mocioni është zgjidhja”, ka shkruar ai.