Deliu: Me bekimin e Radojçiqit, Qeveria po emëron zyrtarë që cenojnë karakterin e shtetit të Kosovës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se emërim i Radoica Radomiroviqit drejtor në Komunën e Leposaviqit, e cenon karakterin e shtetit dhe institucioneve publike të Kosovës.

Në një konferencë për media, Deliu-Kodra tha se ky emërim i të birit të Nikolla Radomiroviq, ushtar i ushtrisë serbe deri vonë në Rashkë, dëshmon se tashmë Afera Zdravo nuk është thjeshtë një aferë e simpatisë në mes të Listës Serbe dhe Albin Kurtit.

“Dje, mediat raportuan edhe për një aderim të ri në institucionet e udhëhequra nga pushteti: Lulzim Hetemi, Kryetari i Leposaviçit nga Vetëvendosje, e ka emëruar drejtor të birin e Radoica Radomiroviqit, Nikolla Radomiroviq, ushtar i ushtrisë serbe deri vonë në Rashkë. Siç po e shihni, tashmë, Afera Zdravo, nuk është thjeshtë një aferë e simpatisë në mes të Listës Serbe dhe Albin Kurtit, por është aferë që ka implikime direkte në shoqërinë dhe në shtetin tonë, e mbi të gjitha në vetë karakterin e shtetit tonë. Para disa ditësh, në media doli një intervistë e ish-deputetit të Listës Serbe Slavko Simiq, i cili, në përgjigje ndaj “kinse padisë” nga ana e Mimoza Kusarit për përgjimet e Aferës Zdravo, i nxori edhe disa pretendime jashtëzakonisht shqetësuese, për të cilat, konsiderojmë se duhet të jenë të shqetësuar të gjithë qytetarët e Kosovës. Në mes tjerash, u pa qartë se koordinimi në mes të Albin Kurtit dhe kriminelit Milan Radojçiq, është koordinim shumë më i thellë, e më i fortë, sesa përpjekjet idioteske të koalicionit Zdravo për ta minimizuar atë”, theksoi ajo.

Sipas Deliu-Kodrës, u pa qartë senga takimet e rregullta e të njëpasnjëshme të Kusarit me Simiqin, Qeveria Zdravo, ka zgjedhur njerëz nëpër institucione publike me bekimin e kriminelit Radojçiq.

“Nga Simiqi mësuam se Radojçiqi e ka mbështetur Qeverinë Zdravo të Albin Kurtit, për shkak se përmes saj, ai ka realizuar interesat kombëtare të Serbisë. Paramendoni, kemi një qeveri, e cila duke shkelur mbi karakterin e shtetit, i akomodon interesat kombëtare të Serbisë përmes koordinimit me një kriminel ordiner si Milan Radojçiq. Kjo është ajo çfarë na shqetëson dhe duhet të na shqetësojë të gjithëve. Dhe për fund, kuptuam po ashtu se Mimoza Kusari, protagonistja e aferës Zdravo, në fakt paska mundësi të jetë protagoniste edhe e shumë përgjimeve të tjera, për të cilat paralajmëroi Simiqi, gjë që dëshmon qartë se ne dhe qytetarët e Kosovës, mund të kemi parë vetëm një pjesë fort të vogël, të llumit të madh anti-shtetëror, antikombëtar e anti-institucional, në të cilën është përfshirë qeveria Zdravo, Albin Kurti dhe Mimoza Kusari”, theksoi ajo.

PDK kërkon nga organet  e rendit që të hetojnë secilën veprimtari të protagonistëve të aferës Zdravo dhe nga organet e sigurisë sonë kombëtare, që të sigurohen se përgjegjësit në krye të institucioneve publike, ata që janë emëruar nga Albin Kurti me bekimin e Radojçiqit, të mos jenë duke kryer ndonjë akt antikombëtar e anti-shtetëror për interesat kombëtare të Serbisë në Kosovë, të cilat interesa, sot mbrohen e realizohen përmes Albin Kurtit, Mimoza Kusarit e Milan Radojçiqit.

Po ashtu, deputetja Deliu-Kodra ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për të ndalë degradimin e vendit nga Qeveria Kurti.

“E përsërisim edhe një herë se katandisja e përgjithshme e vendit nga qeveria Zdravo, është duke iu kushtuar qytetarëve në çdo drejtim, prandaj ne duam zgjedhje të jashtëzakonshme në mënyrë që qytetarët ta ndalin rrugën e turpit, degradimit e shthurjes së çdo gjëje që Zdravo Qeveria e ka nisur tash e gati tre vite”, shtoi ajo.