Gërxhaliu: Falja e 100 eurove nga tatimi në pronë – po eksperimentohet, dëmtohet buxheti i komunave

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, i tha se vendimi për faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë do të dëmtojë buxhetin e komunave dhe do të krijojë pakënaqësi.

Sipas tij, vendimi është një eksperiment që dëshmon mungesën e një dialogu të mirëfilltë.

“Vendimi tani për faljen e 100 eurove brenda vitit kalendarik të vitin 2023 besoj duhet të analizohet në tri aspekte, e para në aspektin ekonomik nuk e kanë të gjitha komunat nivelin e njëjtë të zhvillimit dhe të hyrat nuk janë në nivelin e barabartë, në rend të dytë nuk mund të krahasohet apo të jetë pikënisje Komuna e Prishtinës me komunat tjera, në rend të tretë do të ketë definitivisht dëm të buxhetit të komunave dhe mu këto të hyra janë shtylla e funksionimit të institucioneve në nivel komunal, prandaj besoj në aspektin social mund të arsyetohet, në aspektin institucional apo në aspektin komunal do te krijoj pakënaqësi dhe me siguri në të ardhmen duhet një vendim i tillë të korrigjohet”.

“Në mungesë të një dialogu të mirëfilltë sot bien vendime qeveritare në mënyrë arbitrare, vendime të cilat ose përfundojnë në gjykatë kushtetuese ose e dëmtojnë qoftë qytetarin, qoftë sektori privat, qoftë edhe niveli lokal, në këtë drejtim është bërë një eksperiment kohëve të fundit sa i përket tatimit në pronë, kemi pas ngritje, kemi pas pakënaqësi, kemi pas refuzim, kemi pas miratim” tha ai.

Gërxhaliu shtoi se vetëm përmes dialogut dhe kritikës konstruktive mund të bien vendime që janë në interes të qytetarëve dhe stabilitetit social. /EO/