Norwich City i ka prezantuar numrat e rinj që do t’i mbajnë në fanellë futbollistët e tij në sezonin e ri 2023/24.
E në mesin e atyre që e zgjodhi numrin që do ta mbajë në shpinë është edhe Milot Rashica, shkruan “Gazeta Express”.
Futbollisti kosovar u rikthye nga huazimi i suksesshëm njëvjeçar tek Galatasaray dhe momentalisht po ushtron me ekipin nga Championshipi anglez.
Siç ka njoftuar Norwichi përmes faqeve zyrtare në rrjetet sociale, vushtrriasi e ka zgjedhur fanellën me numrin 14, të cilën më parë e kishin mbajtur Wes Hoolahan e Todd Cantwell.
Natyrisht, ish-futbollisti i Werder Bremenit shpreson që ta mbajë shumë shkurt këtë numër të fanellës pasi mendja e tij qëndron diku tjetër.
27 vjeçari në fakt dëshiron të rikthehet në Galatasaray, duke shpresuar që klubi turk do ta blejë kartonin e tij gjatë këtij muaji.
Norwichi i kërkon 6,5 milionë euro për kartonin e Rashicës, i cili nuk do të pranojë ndërkohë të luajë në nivelin e dytë të futbollit anglez edhe nëse nuk realizohet rikthimi i tij në Stamboll.