Gjykata Kushtetuese e ka pranuar kërkesën e Kuvendit të Kosovës që listës së marrëveshjeve ndërkombëtare drejtpërdrejt të aplikueshme në Kosovë t’i shtohet edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Kushtetuesja, në një aktvendim të publikuar të martën, ka konstatuar se kjo konventë nuk i pakëson të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë.
Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin KO 207/22, parashtruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës të amendamentit të propozuar kushtetues. Kërkesa është parashtruar nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe është dorëzuar në Gjykatë, më 21 dhjetor 2022, bazuar në paragrafin 9 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, sipas të cilit, Kryetari i Kuvendit të Kosovës duhet të referojë amendamentet kushtetuese të propozuara për vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese para miratimit në Kuvend, me qëllim që të konstatohet nëse amendamenti i propozuar kushtetues i pakëson të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës.
Gjykata, njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesën të pranueshme dhe të konstatojë që (ii) amendamenti i propozuar i nenit 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të Kushtetutës, përmes të cilit, listës së marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare drejtpërdrejtë të aplikueshme në Republikën e Kosovës i shtohet edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, nuk pakëson të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës.
Përkitazi me vlerësimin e amendamentit kushtetues të propozuar nga Kuvendi, Gjykata fillimisht analizoi parimet kryesore të përcaktuara me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe vuri theks në të drejtat që ajo përcakton lidhur me (i) respektin për dinjitetin e natyrshëm, autonominë individuale, përfshirë lirinë për të bërë zgjedhjet personale dhe pavarësinë e personit me aftësi të kufizuara; (ii) respektimin e parimit të mosdiskriminimit; (iii) pjesëmarrjen dhe përfshirjen e plotë dhe efektive të personave me aftësi të kufizuara në shoqëri; (iv) respektin për ndryshimin dhe pranimin e personave me aftësi të kufizuara si pjesë e diversitetit njerëzor dhe humanizmit; (v) respektin për kapacitetet në zhvillimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara; si dhe (vi) respektin për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara për të ruajtur identitetin e tyre.
Gjykata gjithashtu vuri theks në detyrimet pozitive që merr përsipër Republika e Kosovës përmes këtij amendamenti kushtetues, duke pasur parasysh që Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara përcakton edhe detyrime specifike pozitive ndaj shteteve, ndër tjerash, për ndërmarrjen e (i) masave të nevojshme legjislative; si dhe (ii) masave të tjera, duke krijuar mekanizma në funksion të zbatimit të plotë të Konventës në fjalë.