Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për rastin e Klan Kosovës, pasi sot MINT refuzoi ankesën e televizionit dërguar në ARBK për çështjen e pezullimit të certifikatës së biznesit Klan Kosova sh.p.k.
Në këtë reagim, ajo thotë se “liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike”.
E para e shtetit thotë se “është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë”.
Presidentja thotë se “respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve janë thelbësore për ruajtjen e rendit, drejtësisë dhe kohezionit social”.
“Promovimi i lirisë së medias brenda kufijve të ligjit, sikurse edhe mbështetja ligjore e fjalës së lirë dhe të drejtës për informim janë parime bazike të shoqërisë sonë, të cilat burojnë edhe nga akti më i lartë juridik i shtetit tonë”.
“Çdo dilemë ligjore rreth rastit të licencës së mediumit Klan Kosova duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës”.
“Presidentja e Republikës pret që kjo të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit”, ka theksuar Presidentja Osmani në këtë reagim.