Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se nga kjo skemë pensionale do të përfitojnë rreth 70 mijë persona.
“Ka qenë një zotim i yni si qeveri dhe ka qenë edhe kërkesë e pensionerëve, e cila më në fund po merr përgjigjen e duhur sa i përket rregullimit të kuadrit ligjor. Në lidhje me këtë kemi pranuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtuese. Në bazë të përllogaritjes që kemi bërë parashihet që në skemën parciale të kalojnë rreth 70 mijë persona. Periudha nga largimi nga puna konsiderohet si periudhë e punës për hir të njohjes së kontributit 15-vjeçar. Si impakt buxhetor vlerësohet të jetë diku 60 milionë euro në vit. Është e nevojshme të bëhet edhe llogaritja e kostove për 50 vite. Dhe kostoja ka dalë të jetë rreth 1.3 miliard euro për këto 50 vite”, ka theksuar ministri Murati.
Mirëpo për ligjin ngritën kritika deputetë të opozitës. “Kam pritur shumë më tepër nga ju. Nuk janë dy rekomandimet e Gjykatës Kushtuese të përfshira brenda. Të gjitha vendet që kanë dalë nga konfliktet e kanë rregulluar që me reformë çdo tre vjet të bëhet rirregullimi i pjesëmarrësve në këtë kategori. Ndoshta ministër do të ishte mirë që një skemë që e ka hartuar Kroacia të merrej në konsideratë. Ftoj që të gjithë të jemi unik pasi këta njerëz kanë nevojë për ne”, tha deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.
“Nuk e di se si do ta informoni Gjykatën Kushtetuese sa i përket plotësimit të vendimit në plotni dhe se si ata do të përgjigjen. Mendoj që zgjidhja parciale do të mbetet temë e hapur. Ne duhet të ulemi bashkërisht. Nuk po dyshoj në vullnet por duhet të jemi koherent në lidhje me atë që po kërkojmë”, ka thënë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Mirëpo deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku tha se të gjithë qytetarët e mirëpresin këtë ligj. “Besoj që të gjithë qytetarët e mirëpresin ligjin. Ne jemi para një reforme të të gjitha skemave dhe mendoj që edhe skemat tjera do të rregullohen”, ka shtuar ajo.
Ndryshe, Projektligji për Skemat Pensionale të financuara nga shteti do të shqyrtohet në seancën e sotme të Kuvendit në orën 14:00. /RTK/