Pëllumb Bajqinovci i Lidhjes Demokratike të Kosovës është zgjedhur kryekuvendar i ri i Prishtinës, në mbledhjen e jashtëzakonshme që u mbajt të premten. Bajqinovci mori 26 vota për nga po aq vota.
Në fjalimin e tij të parë si kryesues, Bajqinovci ka thënë se si kryesues “do të angazhohet që të ketë solidaritet e bashkëpunim të sinqertë”.
“Kemi dhe ndjejmë përgjegjësi për ta bërë qytet me karakter unik, të jetueshëm për të gjithë qytetarët”, ka thënë ai duke e quajtur fjalimin e tij të premten, si më të rëndësishmin në jetë.
Pushteti në Prishtinë, LDK-PDK, zgjodhi kryesuesin e ri, pas shkarkimit të Fehmi Kupinës javë më parë, vendim që është hedhur poshtë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Sipas opozitës në kryeqytet, Kupina vazhdon të jetë kryesues dhe se pushteti po vepron kundërligjshëm.
Në mbledhjen e pestë të Kuvendit Komunal është votuar për shkarkim të Kupinës, por ai paraprakisht e kishte mbyllur seancën me arsyen se nuk kishte kushte për punë.
Një ditë më parë, Kupina u kishte dërguar shkresë asamblistëve duke ua kujtuar Rregulloren, duke nënvizuar nenin që shpjegon se nuk mund të zgjidhet një kryetar i ri përderisa ekziston aktuali.
Kupina ishte zgjedhur në fillim të mandatit me votat e asamblistëve të subjekteve politike që e bëjnë pushtetin lokal në Prishtinë. Muajin e shkuar ai dha dorëheqjen nga LDK-ja dhe bashkoi votat me opozitën për t’i shkarkuar aksionarët e ndërmarrjeve publike.