Takimi informal me liderët e rajonit, Rama: BE po përgatit një plan për të na mbështetur financiarisht


Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim informal liderët e Ballkanit Perëndimor dhe komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, në kuadër të përgatitjeve që po bëhen për Samitin e Procesit të Berlinit.

Në një deklarate për mediat, Kreu i qeverisë ka bërë të njohur detaje nga takimi dhe çfarë u diskutua mes liderëve.

Rama u shpreh se në takim është diskutuar kryesisht sesi vendet e rajonit të kenë mbështetje ekstra financiare dhe ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor nga BE.

“Njoftoj për t’iu informuar se Shqipëria do të mirëpresë samitin e parë të Procesit të Berlinit jashtë BE në tetor dhe për këtë ne u angazhuam me kancelarinë në Gjermani por edhe me aktorë të tjerë në mënyrë që ky samit të shërbejë për të hedhur një hap të rëndësishëm më tutje në raport me ato që PB ka në bazën e vet.

Lehtësimet e vazhdueshme në ndërveprimin mes vendeve të BP por edhe për të hedhur një hap të rëndësishme me raportet tona me BE. E për këtë të dytën ne ishim sot në Tiranë edhe me Varhelyin. Dhe, për këtë diskutuam. Prej sa kohësh ne jemi në një përpjekje për të nxitur një mënyrë të re të të parit të gjërave në raport me Ballkanin Perëndimor në aspektin e hendekut që ekziston mes nesh dhe vendeve anëtare. Duke marrë parasysh jo vetëm këtë pasojë dhe kontekstin e përgjithshëm dhe të gjitha sfidat që janë sot të përbashkëta. Ne jemi përpjekur që, të krijojmë një tjetër qasje. Që do të thotë, paralelisht me procesin e negociatave, të kemi një mbështetje ekstra financiare dhe ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Rama.