Drejtori Ekzekutiv i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka shpalosur rezultatet nga aktivitetet e realizuara përgjatë periudhës janar-qershor 2023.
Murtezaj theksoi se realizimi i të hyrave ka arritur të tejkalohet për 68 milionë euro në raport me vitin e kaluar, rritje kjo, që sipas tij, reflekton rezultatin e reformave të ndërmarra në proceset kyçe të autoritetit tatimor.
Sipas tij, në totalin e mbledhjes së të hyrave shifrat kapin vlerën e 423.2 milionë euro.
“Vite me parë nga aspekti i tatimeve Kosova rangohej brenda mesatares së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa tani, duke ju referuar reformave te zhvilluara dhe rritjes se inkasimit të të hyrave, bazuar në raportin e FMN-së dhe mekanizmave tjerë ndërkombëtarë, Kosova konsiderohet lider në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin ATK-së.