Kreu i ri i Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ka zhvilluar një takim kurtuazie me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Siç njofton EULEX-i, ata shkëmbyen pikëpamjet e tyre ndaj situatës aktuale në Kosovë dhe mandatin e misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë.
Nga ana e tij, Barbano tha se do të vazhdojë të mbështesë institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë.
“Barbano shprehu përkushtimin e tij për të vazhduar mbështetjen e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë drejt rritjes së pavarësisë, qëndrueshmërisë dhe pajtueshmërisë me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira, përmes komponentëve të ndryshëm të mandatit të EULEX-it”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.
Ndërkaq Osmani, sipas njoftimit të presidencës, ka theksuar se “bashkëpunimi me EULEX-in në suaza të mandatit aktual të këtij misioni dhe me institucionet tjera ligjzbatuese në vend është jashtëzakonisht i rëndësishëm, e në veçanti në këtë periudhë”.
“Kosova, si vend që aspiron integrimin në institucionet euroatlantike, është e përkushtuar për koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm për të garantuar integritetin profesional dhe zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë presidentja Osmani.
Në takim, sipas njoftimit, Presidentja foli po ashtu mbi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar për tejkalimin e sfidave të sigurisë, si dhe në mbrojtjen e të drejtave të grave, fëmijëve dhe komuniteteve joshumicë.