Lajçak: S’ka afat zyrtar se kur Prishtina dhe Beogradi duhet t’i përmbushin kërkesat e BE-së

Pas takimeve të fundit të ndara në Bruksel ndërmjet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, shefi i diplomacisë së BE’së Josep Borell ka dalë me propozime konkrete që palët duhet t’i bëjnë për ta shtensionuar situatën.

Borelli i kërkoi Kosovës, që menjëherë të pezullojë operacionet policore në ndërtesat e komunave në veri dhe që katër kryetarët e komunave përkohësisht t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale.

Ai tha se Serbia duhet të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e Policisë së Kosovës.

Emisari i BE’së Miroslav Lajcak në një intervistë të publikuar në Euronews Serbia tha se nuk ka afat zyrtar për pranimin e këtij plani.

“Nuk ka një afat zyrtar. Por në politikë gjithçka është e lidhur. Shihni sa përfaqësues të lartë ndërkombëtarë janë të angazhuar në këtë çështje. Ne patëm telefonata nga presidentja e KE-së Ursula von der Leyen dhe Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken. Situata është aq e tensionuar dhe serioze, saqë zyrtarët më të lartë botërorë duhet të merren me të dhe të përfshihen në zgjidhjen. E gjithë kjo disi reflektohet në atmosferën në bashkësinë ndërkombëtare, në imazhin e Kosovës, Serbisë dhe të gjithë rajonit. Pra, mendoj se është në radhë të parë në interes të Serbisë dhe Kosovës që kjo çështje të zgjidhet dhe rajoni të merret me çështje evropiane, jo me menaxhimin e krizave” ka thënë Lajçak.