Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Serbisë “që menjëherë t’i ndalë nxitjet për dhunë para se të ketë humbje jete”.
Kjo thirrje e Kurtit ka ardhur pasi të hënën është sulmuar me granta dore objekti i Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Ai në Twitter ka shkruar se asnjë person nuk është lënduar, por sipas tij, do të mund të kishte lëndime.
“Mbrëmë ndërtesa e komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me 2 granata dore, duke shkaktuar dëme në veturat që ndodheshin afër. Fatmirësisht asnjë person nuk u lëndua, por mund të kishte ndodhur lehtësisht. I bëj thirrje Serbisë që menjëherë të ndalë nxitjet për dhunë para se të ketë humbje jete”, ka shkruar ai.
Policia e Kosovës ka njoftuar se janë shkaktuar disa dëme materiale në dy vetura zyrtare ndërkohë që ka njoftuar se ka iniciuar rast.
Ministria e Punëve të Brendshme, sulmin e ka quajtur terrorist, duke deklaruar se përgjegjësit do të vihen para drejtësisë.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se sulmi i mbrëmshëm me granatë dore M75 në objektin e komunës është padyshim sulm i organizuar terrorist.