KFOR-i ka dënuar sulmet mbi gazetarët e kameramanët në veri të Kosovës, ndërsa ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen.
“Liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë vlera themelore të cilat duhet të respektohen nga të gjithë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna ose veprimet e mëtejshme që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm dhe të sigurojnë që mediat të mund të kryejnë punën e tyre themelore në mënyrë të sigurt”, thuhet në komunikatë.
KFOR-i ka përsëritur se është reaguesi i tretë, e Policia e Kosovës përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit në mbarë Kosovën.
Misioni ka bërë të ditur tutje se komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, si dhe me përfaqësues të Forcave të Armatosura të Serbisë, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-së dhe komunitetit diplomatik.
Gazetarët dhe punonjësit e mediave kanë qenë cak i sulmeve nga grupet e protestuesve serbë në Leposaviq të premten. Ata iu nënshtruan shok-bombave, goditjeve me gurë e edhe sulmeve fizike. E përderisa ngjarja po zhvillohej, pak metra larg tyre, pjesëtarët e KFOR-it nuk reaguan.