Osmani: Koha të gjejmë zgjidhje bashkë me BE-në dhe SHBA-në


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur shpresëplotë se mosmarrëveshjet aktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tejkalohen.

Në një takim me korrespondentë politikë gjatë qëndrimit të saj në Berlin, Osmani ka thënë se është koha për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme.

“Nuk mendoj se mosmarrëveshjet mund të anashkalohen duke sulmuar njëri-tjetrin në media, por nëse ulemi dhe flasim”, ka thënë ajo.

Osmani ka deklaruar se tani kanë mbetur të sqarohen disa detaje në lidhje me riorganizimin e zgjedhjeve në veri dhe tërheqjen e forcave policore nga komunat në fjalë, dy kërkesa këto aktuale të vendeve të Quintit ndaj Kosovës.

Përsa i përket zgjedhjeve të reja në katër komunat serbe në veri të Kosovës, Osmani ka thënë se kusht për mbajtjen e tyre është që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve.

“Ne kemi kërkuar mbështetjen e partnerëve tanë për t’u siguruar që Serbia të mos ndërhyjë në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e një vendi tjetër, siç bëri herën e kaluar, dhe që të mos u bëjë presion serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë. Por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje”, vijoi Osmani.

Sa i përket tërheqjes së forcave policore, ajo ka thënë se Kosova tashmë ka propozuar që të bëhet një vlerësim i përbashkët i sigurisë së bashku me KFOR-in dhe EULEX-in, në bazë të të cilit do të bëhet tërheqja. Por ajo theksoi se duhen vijuar përpjekjet e përbashkëta për sundimin e ligjit për të gjetur kriminelët që ushtruan dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe të tjerëve.

Mosmarrëveshjet aktuale të Kosovës me BE-në dhe SHBA-në, Osmani i shpjegoi me pakënaqësinë e vendeve partnere për situatën e krijuar në veri që nga 26 maji, kur nisën punën katër kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Si pasojë e protestave të dhunshme të serbëve, më 29 maj, u lënduan një numër i madh ushtarësh të KFOR-it dhe civilë.

Përgjegjësia për situatën e krijuar megjithatë mbetet në Serbi, thotë Osmani, e cila e akuzoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq që është kthyer në strategjinë e vjetër që krijon krizë pas krizash duke bllokuar suksesin dhe zbatimin e marrëveshjeve të dialogut.

“Serbët kishin instrumente të ndryshme që mund të ishin përdorur nëse do të donin të kontestonin legjitimitetin e kryetarëve të komunave që u zgjodhën. Por ata nuk përdorën asnjë nga ato mjete kushtetuese demokratike për ta bërë këtë”, ka thënë presidentja.

Edhe dialogu, siç thotë Osmani, duhet të jetë më i balancuar.

“Mendoj se një nga arsyet kryesore pse kemi këto tensione gjatë gjithë kohës është edhe për shkak të zhgënjimit se si po shkon dialogu”, ka thënë ajo në lidhje me rolin e BE-së si ndërmjetësues në normalizimin e marrëdhënieve me shtetin fqinj.

Kritikë pati Osmani ndaj vendeve aleate që nuk kanë reaguar ndaj shkeljeve të bëra nga Serbia.

“Ka pasur shkelje të vazhdueshme në këto dy muajt e fundit, që nga 18 marsi, kur u bë marrëveshja, por asnjëherë deri më tani nuk kemi dëgjuar një lloj deklarate nga Bashkimi Evropian duke thënë, po, kjo është një shkelje e marrëveshjeve. Mendoj se kjo po e inkurajon Serbinë që të mos kujdeset për procesin dhe po dëmton besueshmërinë e procesit të dialogut”, ka deklaruar Osmani.

Sa për procesin e liberalizimit të vizave, Osmani ka thënë se nuk beson se do të ndalet, sikurse ishte aluduar nëpër media:

“Na janë dhënë garancitë e siguruara nga institucionet evropiane se kjo nuk do të ndodhë. Të paktën deri tani.  Kjo është pikërisht ajo që kemi dëgjuar dhe na është thënë, jo vetëm e dëgjuar nga të tjerët, por sigurisht, duke folur me institucionet evropiane”, ka thënë presidentja.

Osmani ndodhet në Berlin me ftesë të presidentit Frank Walter Steinmeier për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Speciale (17-26 qershor 2023) për personat me aftësi të veçanta. Por presidentja e Kosovës e shfrytëzoi këtë ftesë për të bërë një sërë takimesh me aktorë të rëndësishëm politikë në Gjermani. Ajo ndër të tjera pati edhe një takim në Komisionin e Jashtëm të Bundestagut. /DW/