Ambasada gjermane: Nuk kemi bojkotuar pritjen shtetërore për Ditën e Çlirimit

Ambasada gjermane në Prishtinë tha se “nuk kemi bojkotuar” pritjen zyrtare të organizuar nga Presidenca dhe Kryeministria për Ditën e Çlirimit më 12 qershor.

Më 12 qershor ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Italia, Franca dhe Britania e Madhe) nuk janë parë në ngjarjen e organizuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, për shënimin e 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Kurse mediat në Kosovë kanë raportuar se ambasadorët e shteteve të QUINT-it e kanë bojkotuar këtë ngjarje.

“Ambasada gjermane ka pranuar ftesë për të marrë pjesë në këtë ngjarje dhe zyrtarisht në të është përfaqësuar nga zëvendëskreu i misionit, siç ka ndodhur në shumë raste”, thanë për Radion Evropa e Lirë nga Ambasada gjermane në Prishtinë.


Megjithatë, kjo ambasadë nuk pranoi të japë detaje se pse ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, nuk mori pjesë në pritjen zyrtare.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje edhe në ambasadat e tjera të vendeve të QUINT-it, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Kjo mosmarrje pjesë e ambasadorëve të shteteve të QUINT-it në këtë ngjarje, vjen në kohën kur bashkësia ndërkombëtare po i kërkon Qeverisë së Kosovës të qetësojë situatën në veriun e banuar me shumicë serbe. Deri më tani, ekzekutivi në Kosovë nuk i ka plotësuar kërkesat e partnerëve të tij ndërkombëtarë.

Atje, që nga 26 maji, tensionet janë rritur, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, hynë në ndërtesat komunale, nën përcjelljen e policisë, pavarësisht kundërshtimit të serbëve lokalë.

Që nga 29 maji, serbët lokalë po protestojnë vazhdimisht në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian i kanë paraqitur tri kërkesa kryeministrit Kurti: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Kurti më 13 qershor njoftoi se i ka prezantuar komunitetit ndërkombëtar një plan me pesë pika për uljen e tensioneve:

  • Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët.
  • Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe të ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës.
  • Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
  • Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë akterët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri.
  • Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e hapur për mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Megjithatë, për t’u shpallur zgjedhjet e reja, ajo ka thënë se 20 për qind e personave në listën votuese në veri të Kosovës, duhet të nënshkruajnë një peticion me kërkesën që të mbahen votimet.