Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Turqi, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të homologut të saj turk, Recep Tayyip Erdogan.
Sipas njoftimit, në ceremoninë e inaugurimit, Osmani do të shoqërohet nga Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, ku do të jenë krah krerëve të tjerë të shteteve nga e gjithë bota.
“Presidentja Osmani ditë më parë, ka uruar Presidentin Erdogan në emër të popullit të Republikës së Kosovës për fitoren dhe ka shfaqur gatishmërinë që të vazhdohet puna e përbashkët për ta thelluar bashkëpunimin dhe për ta forcuar partneritetin në mes të dy shteteve”, thuhet në njoftimin e presidencës, transmeton Klankosova.tv.
Kujtojmë se të dielën e kaluar, Recep Tayyip Erdogan ka fituar garën presidenciale në balotazh ndaj kundërkandidatit, Kemal Kilicdaroglu.
Erdogan kishte 52.14 për qind të votave në balotazh ndërsa Kilicdaroglu mori 47.86 për qind.