Në ditën e pestë të tensioneve e protestave në veri, Kosovës i është rritur presioni ndërkombëtar për të gjetur rrugëdaljen nga kriza. Të enjten në mbrëmje, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, bëri të qarta tri kërkesa për Kosovën e Serbinë, për mosrealizimin e të cilave paralajmëroi “pasoja serioze”.
Bashkimi Evropian, me në krye Gjermaninë dhe Francën, kanë kërkuar publikisht organizimin e menjëhershëm të zgjedhjeve të reja në komunat veriore të Kosovës, sigurimin që në to të marrin pjesë serbët e Kosovës dhe që të nisë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kërkesa doli nga takimi që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Moldavi, nën ndërmjetësimin e Borrellit, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
“Dështimi për t’i realizuar, do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona”, ka shkruar Borrell të enjten në Twitter.
Për çështjen e zgjedhjeve, Osmani u shpreh se Kosova është e gatshme ta shqyrtojë propozimin e ndërkombëtarëve, ndërsa kryeministri Albin Kurti në “Konfront” të KTV-së deklaroi se po që se serbët lokalë do të protestonin paqësisht për zgjedhje të parakohshme “do ta kenë një dëgjues të mirë prej kryeministrit të Kosovës”. Zgjedhjet i ka përmendur edhe në mbrëmje, pas bisedave telefonike me zyrtarë të lartë amerikanë.
Përballjen me sanksione të ndërkombëtarëve, Kurti e cilësoi si shqetësuese, por siç tha ai, më shqetësuese janë bandat fashiste në veri.
Nga BE-ja Kosova po përballet me kërcënime e rritje presioni, ndërsa tashmë ka marrë sanksionet e para nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-ja e përjashtoi Kosovën nga ushtrimi ushtarak ndërkombëtar “Europe Defender” si dhe paralajmëroi masa të tjera.
Ndërkombëtarët kanë kritikuar Kosovën për insistimin që kryetarët e rinj, të zgjedhur në zgjedhjet me dalje të ulët në prill, të ushtrojnë detyrën nga objektet komunale. Serbët lokalë kanë nisur protestat të premten e shkuar. Të hënën pati ushtrim të dhunës nga ta ndaj policëve e ushtarëve të KFOR-it. U lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, prej tyre tre me armë zjarri. Cak i sulmeve kanë qenë në vazhdimësi gazetarët që kanë raportuar nga vendi i ngjarjes.