Kryeministri i Kosovës, Abin Kurti ka ripërsëritur qëndrimin e tij se kryetarët e tri komunave në veri duhet të kryejnë punën e tyre nga ndërtesat e komunave.
Ai ka thënë se sot vendi ndodhet në situatë të vështirë për shkak të grupeve të armatosura që sipas tij, shtiren si protestues “e në fakt janë banda kriminale në veriun e Kosovës prej të cilave duhet të çlirohen edhe Republika jonë demokratike edhe komuniteti serb dhe për këtë kemi mbështetjen e SHBA-së”.
Ai ka thënë se kryetarët e zgjedhur, janë kryetarë legalë që kanë legjitimitet, ndonëse jo të plot dhe normal për shkak të trysnisë së Serbisë që serbët t’i bojkotojnë zgjedhjet.
“Ata kandidat që kanë garuar dhe fituar duhet ta bëjnë punën se për këtë paguhen dhe vendi i punës së kryetarit duhet të jetë në ndërtesën publike të Komunës sepse ndërtesa publike është ajo e komunës”, ka potencuar ai.
Ka thënë se është i bindur që kanë bërë gjithçka që është e mundur, duke përmendur shtyrjen e zgjedhjeve. Kurti ka thënë se kanë pranuar gjithashtu të mos ketë as festë pas fitoreve, porse sipas tij, duhet të fillojë puna.
“Ne nuk mund të krijojmë struktura paralele jashtë objekteve zyrtare. Kur kanë hyrë kryetarët në këto zyra, ato kanë qenë të zbrazura, të braktisura. Nuk mund të kenë përgjegjësi ata që marrin pjesë në mënyrë demokratike”, ka thënë ai.
Kurti gjithashtu ka shtuar se kryetarët e komunave duhet të jenë në zyrat e tyre në ndërtesat e komunave.