Partia në bashkëqeverisje e VV-së, Guxo, ka dalë më në fund me një deklaratë publike në lidhje me gjendjen aktuale të tensionuar në tri komunat në veri të vendit.
Në deklaratën e publikuar nga Guxo, thuhet se vendosja e kryetarëve të rinj në objektet komunale është obligim ligjor, dhe se mbështesin Qeverinë plotësisht në insistimin për vendosjen e kryetarëve nëpër komuna.
“Partia Guxo mbështet plotësisht institucionet e Republikës së Kosovës në përpjekjet demokratike për qeverisje lokale, për rend, rregull dhe ligj. Partia Guxo mbështet fuqishëm qëndrimin e institucioneve se kryetarët e komunave duhet të punojnë nga objektet zyrtare komunale dhe, natyrisht, në çdo ndërtesë zyrtare e qeveritare duhet të valojë flamuri i shtetit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e kësaj aprtie.
Partia e themeluar nga presidentja Vjosa Osmani, thotë se duhet të ketë bashkëpunim të ngushtë me aleatët perëndimorë, posaçërisht ShBA-të.
“Po ashtu, Partia Guxo mbështet komunikimin e sinqertë e të vazhdueshëm, bashkërendimin e bashkëpunimin e ngushtë të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës me misionet e me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin partneritet e bashkëpunim vëllazëror, Republika e Kosovës ka trasuar e ndërtuar rrugën e vet drejt lirisë, pavarësisë, demokracisë e zhvillimit të saj si shtet i pavarur, sovran e unik”, thuhet në reagimin e tyre.
Partia e drejtuar nga Donika Gërvalla Schwarz dhe Faton Peci nuk harroi të përmend edhe sulmet ndaj gazetarëve në veri të vendit, nga protestuesit serbë, për të cilët tha se meritojnë mirënjohjen e tyre të thellë.
“Partia Guxo si subjekt politik, por edhe me anën e përfaqësuesve të vet në Qeveri, do të angazhohet për tejkalimin e kësaj situate në veri të vendit, mbi bazën e ligjit dhe në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë strategjikë, SHBA-të dhe vendet e demokracive perëndimore”, thuhet në këtë deklaratë.
Në fund, ata thanë se sovraniteti i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm.