Katarina Agjançiq, ish-punonjëse e Administratës Tatimore të Kosovës, ka pranuar pozitën e nënkryetares së Mitrovicës së Veriut.
Edhe pse ka dalë kundër shumicës së bashkëvendësve të saj serbë në veri të Kosovës, të cilët i kanë bojkotuar zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, Agjançiq thotë se nuk ka frikë e as sigurim.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ajo i përshkruan si “normale” marrëdhëniet e saj me partinë kryesore të serbëve – Lista Serbe.
Vendimin për të dalë kundër mosgatishmërisë së tyre për t’i dhënë fund bojkotimit të institucioneve të Kosovës tash e gjashtë muaj, Agjançiq thotë se e ka marrë për faktin se nuk ka mundur të qëndrojë duarkryq kundrejt pasojave që ka shkaktuar mosfunksionimi i institucioneve në katër komunat në veri të Kosovës.
“Disa do ta cilësonin këtë lëvizje si të guximshme dhe kështu kanë bërë. Disa do ta quanin të çmendur. Por, për ata që më njohin, jam jashtëzakonisht parimore, kam qëndrimin tim. Çfarë më ka shtyrë ta bëj këtë? Asnjë politikan nuk qëndron pas meje dhe nuk do të doja të qëndronte asnjë krah politik. Nuk do t’ia lejoja vetes të angazhohesha si anëtare e një partie politike. Pra, unë jam përgjegjëse për veten time dhe për mënyrën time të punës në interes të komuniteteve – të kujtdo që jeton atje. Unë nuk jam këtu për të udhëhequr politikë apo për t’u marrë me politikë. Këtë e bën dikush tjetër. Në janar jemi përballur me përmbytje. Uji i Ibrit ka hyrë në të gjitha shtëpitë tona, nuk ka pyetur se kush është serb, kush është shqiptar e kush është boshnjak. Në atë fatkeqësi, që ka qenë shumë e vështirë ato ditë, të gjithë kanë ditur të flasin serbisht, shqip dhe turqisht, dhe fqinjët kanë vrapuar për të ndihmuar njëri-tjetrin. Aty kemi parë që nuk mund të jetojmë pa njëri-tjetrin. Aty kemi parë se nuk organizohemi dot pa institucione”, tha Agjançiq. “Por, sfidë ka qenë kthimi në jetën normale, rregullimi i dëmeve, kujt t’i drejtoheshim… A ka faj populli që dikush e ka braktisur pushtetin? Kemi pyetur ku është komisioni, të vijë t’i vlerësojë dëmet. Na kanë thënë se nuk ka komision që nga koha e dorëheqjeve. Ku janë inspektorët komunalë? Nuk ka. E çfarë ka? Ka kryetar kuvendi, delegatë. Çfarë bëjnë ata? Marrin vendime. Kush i zbaton? Askush”.
Agjançiq ka folur për bashkëpunimin e saj me kryetarin e ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiqin.
“Jemi njohur vetëm me të parë. Por, kur ka pasur përmbytje, kur kam shkuar në shtabin e krizës, ku kemi dhënë informacione për shtëpitë tona të përmbytura, Atiq ka qenë aty. Kështu, kemi filluar t’i ndihmojmë të tjerët, të jemi solidarë, t’iu sigurojmë barna të moshuarve, terapi, t’i ndihmojmë fëmijët, sepse shumë në atë zonë jetojnë me asistencë sociale”, tha ajo.
Ajo më herët kishte qenë në listën e partisë së Nenad Rashiqit. Por, thotë se i vjen keq që ka humbur kohë kot dhe ka shpresuar se mund të bëhet deputete.
Ndërkohë e pyetur nëse ajo ka frikë, Agjançiq, thotë se jo.
“Nuk kam kohë të mendoj për këtë. Shumë njerëz, shumë qytetarë tashmë po telefonojnë dhe pyesin nëse do të zgjidhet kjo apo ajo. Nuk ka vend për frikë, pse frikë?!” – thotë ajo. “Jo. Nuk na ka krijuar Zoti të gjithëve njësoj. As me motrën time nuk jam njësoj. Ajo mund të ketë frikë, nuk e di. Por, unë nuk kam përzënë askënd, dhe nuk kam marrë asgjë. E përsëris, nuk drejtoj politikë dhe nuk kam lindur për këtë. Nuk di të drejtoj politikë. Unë dua që komuniteti im, të gjitha komunitetet qytetare të ndjejnë normalizim të jetës në sfera të ndryshme. Asfaltim të rrugëve. Unë jetoj në një rrugë (në Mëhallën e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut) 800 metra të gjatë… Tri herë kemi shkruar kërkesa, peticione, lutje – nuk është asfaltuar asnjëherë. Prioritetet e mia kanë të bëjnë me zhvillimin e qytetit, investimet kapitale, ndriçimin e rrugëve. Prioritet është edhe zhvillimi i shtratit të lumit Ibër”.
“Krejt normale. Ne njihemi për kohë të gjatë. Shikoni, njihemi… Por, nuk kemi asgjë të keqe me njëri-tjetrin. Ka respekt, nderim nga ana ime, dhe nga ana e tyre nuk kam ndjerë kurrë diçka të keqe. Thjesht, nuk e di pse do të duhej të kishte ndonjë nam mes nesh. Nuk ka arsye”, tha nënkryetarja e Mitrovicës së Veriut.