Qëndrime të kundërta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, pati në takimin e djeshëm që u mbajt në Bruksel. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk e pranon draft-statutin e prezantuar, pasi nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës.
Lidhur me këtë çështje ka folur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri. Haziri në një intervistë për “Përballje” në Telegrafi.com me kryeradaktorin Muhamet Hajrullahu, ka thënë se ekipi i Kosovës për interes të Kosovës i ka prezantuar kryeministrit me ndërmjetësim ndërkombëtar dhe në prani të Serbisë, draft-statutin e Asociacionit dhe ky është dështim total.
“Veprimi është i vonshëm, kjo ka mundur të ndodhte para një viti që të shkarkohet ekipi menagjues sepse Kurti më shumë e një vit nuk ka marrë pjesë në dialog duke mos e trajtuar si prioritet. Elefanti në dhomë është statuti i Asociacionit dhe është dashur të pres që kjo do të ndodh herët a vonë”, ka thënë Haziri.
Ai shtoi se as Qeveria e as Presidentja nuk kanë mandat me propozu draft për Asociacionin. “S’ka mandat me propozua, kjo është lojë politike. Dalja e presidentes që na duhet me shku me dokument është lojë politike. Ekipi menaxhues e ka mandatin për propozim të draft-statutit askush tjetër”, tha Haziri.
Haziri ka shtuar se ekipi menaxhues që propozohet nga përfaqësuesit e komunitetit serb në këtë rast i bie që ministri i komuniteteve është sponsor i propozimit të ekipit, miratohet nga ana e Qeverisë dhe si i tillë ka termat e punës dhe mandatin.
“Ata duhet të punojnë në mënyrë të pavarur bazuar në marrëveshjen e vitit 2015. Ky draft duhet të punohet për interes të qytetarëve në Kosovë dhe duhet ti respekton marrëveshjet, nuk mund të bëjë listë dëshirash të punoj jashtë kornizave të marrëveshjes, ky dokument pastaj i propozohet ndërmjetësit ndërkombëtar që ta nxjerrë para palëve siç ka ndodhur dje, por e keqja në këtë rast dje është se në Kosovë ka pasur shkëputje, nuk e ka dit askush as përbërjen deri vonë.
Një marrëveshje eventuale e dakorduar shkon në Gjykatën Kushtetuese. Ju e patë që Kurti paraqiti vërejtjet me shkrim për shkelje të marrëveshjes, por i vetmi autoritet për interpretimin e shkeljes ë marrëveshjes është ndërmjetësi ndërkombëtar nuk është as Kosova as Serbia”, deklaroi Haziri për Telegrafin.
Nënkryetari i LDK-së shtoi se çdo lloj vonimi në realizimin e këtyre qëllimeve për Kosovën do të jetë barometër matës për ecje përpara, dhe sipas tij kjo lidhet edhe me anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe me aspiratat tona për integrime euroatlantike.
“Tash prej 18 marsit Kosova falë marrëveshjes së z.Kurtit do të jetë peng i matjes së progresit me implementimin e marrëveshjes. Kjo qeveri dhe qeveritë e ardhshme do ta kenë barometër matës implementimin e marrëveshjes së nënshkruar në Ohër. Ne si LDK i kemi thënë z.Kurtit implementojnë marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015 dhe mos u vono, dhe kjo vonesë z.Kurtit ja ka sjellë një marrëveshje të re e cila është ripaketim, riformatim vetëm për të ndërtuar Asociacionin është ndërtuar një format tjetër i negociatave”, tha Haziri.
Haziri theksoi se formimi i ekipit të ri menaxhues nuk do të duhej të vonohej, derisa shtoi se në Kosovë duhet të “largohet mjegulla që e ka shkaktuar Kryeministri dhe partnerët lidhur me pranimin e Asociacionit, duhet tu thuhet qytetarëve se më 18 mars Kurti ka pranuar Asociacionin”.
Në fund të kësaj interviste, Haziri shtoi se çdo hap i gabuar dhe çdo vonesë do t’i kushtojë Kosovës. “z.Kurti mund ta vonojë me ditë ose javë z.Escobar dhe Borrell, por pikat nuk mund dhe shkallët të mos i kalojë”, tha ai. /Telegrafi/