Presidentja Osmani u prit me nderime të larta shtetërore e ushtarake nga Presidenti Pendarovski

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në fillim të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut është pritur me nderime të larta shtetërore e ushtarake nga Presidenti Stevo Pendarovski.

Të dy presidentët i kanë rikonfirmuar raportet e shkëlqyera në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Presidentja Osmani ka theksuar se raportet me Maqedoninë e Veriut janë të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe të forcuara nga synimi i përbashkët për të ardhmen euroatlantike të vendeve tona.

“Ne jemi dy shtete fqinje dhe synimi ynë është e ardhmja e përbashkët euroatlantike. Në këtë përpjekje, marrëdhëniet tona janë model i funksionimit në Ballkanin Perëndimor. Angazhimi ynë për marrëdhënie të mira fqinjësore, paqe e stabilitet është edhe në funksion të stabilitetit në rajon e më gjerë. Maqedonia e Veriut është partner i besueshëm i Kosovës, ndaj vlerësojmë lartë mbështetjen e deritashme dhe llogarisim në mbështetje të vazhdueshme në përpjekjet tona për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Teksa ka folur për raportet ndërfqinjësore, Presidentja Osmani, ka theksuar se lidhjet ndërmjet të dy shteteve bëhen edhe më të fuqishme me kontributin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ajo tha se shqiptarët kishin rol kyç në shtetformimin dhe shtetndërtimin e Maqedonisë së Veriut ndërkaq sot janë kontribuues kyç për perspektivën evropiane të saj.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar se përfundimi më i shpejtë i autostradës Bllacë-Shkup do të krijojë mundësi më të mirë për lëvizje të qytetarëve të të dy shteteve dhe për shkëmbime të dyanshme. Në takim u përmendë edhe nevoja e hapjes së pikave të reja kufitare për ta lehtësuar më tej lëvizjen në drejtim të të dy shteteve.

Duke folur për zhvillimet aktuale politike dhe ato në fushën e sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë e koordinuar me aleatët dhe se mbetet e përkushtuar për paqe e stabilitet. Presidentja Osmani dhe Presidenti Pendarovski kanë biseduar edhe për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të tjera të interesit të dyanshëm.