Deputetët e partive në pushtet dhe ata në opozitë, si dhe anëtarë të Qeverisë së Kosovës, shkëmbyen akuza për dyshime të aferave korruptive brenda Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Diskutimi i 26 prillit në Kuvend u mbajt pas kërkesës së deputetëve opozitarë për debat parlamentar lidhur me arrestimin e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.
Më 19 prill, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se Krasniqi u arrestua nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim të ndikimit dhe konflikt interesi.
Nga Gjykata e Prishtinës atij i është caktuar një muaj paraburgim, ndërsa pas arrestimit, pozita e tij në KEK është suspenduar me vendim të bordit të këtij institucioni.
Memli Krasniqi, kryetar i subjektit opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, e kritikoi kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai po e mbron Krasniqin.
“Po flasim për dyshime për keqpërdorime marramendëse.. Në çdo vend demokratik, normal, në momentin kur është bërë publik lajmi i arrestimit të shefit të energjisë së Kosovës, që jo për koincidencë, ka qenë shefi për energji në Vetëvendosje, një kryeministër normal do duhej të kërkonte shkarkimin imediat të bordit dhe kryeshefit, pa e paragjykuar pafajësinë e tij”, tha Krasniqi.
Deputetë të kësaj partie përmendën edhe kontrata të ndryshme brenda KEK-ut, që sipas tyre, janë lidhur në mënyrë të dyshimtë.
Në anën tjetër, Driton Selmanaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se shkarkimi i Krasniqit nga bordi i KEK-ut u bë me vonesë.
“Ne e përshëndesim vendimin e bordit për pezullimin e Krasniqit. Mirëpo, kjo ka ndodhur vetëm pasi ne kemi thirrur seancë të jashtëzakonshme”, tha ai.
Kritikave të opozitës u janë përgjigjur deputetët e partisë në pushtet dhe pjesëtarë të Qeverisë, duke thënë edhe se në kohën e qeverive të kaluara ka pasur shumë keqpërdorime në sektorin e energjisë.
Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, e fajësoi opozitën për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
“Jam më se e bindur se drejtësia do të triumfojë, por gjithashtu jam e bindur se kërkesa për këtë diskutim bëhet më qëllim për të tërhequr vëmendjen nga sukseset për të cilat sot do duhej të krenohej i tërë vendi”, tha ajo duke iu referuar vendimit për liberalizim të vizave dhe shtyrjen përpara të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Deputetë nga partitë opozitare edhe më herët kanë bërë përgjegjëse edhe Qeverinë e Kosovës për “skandalin e Nagip Krasniqit”, meqë sipas tyre ai ka qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet.
Korporata Energjetike e Kosovës është një ndër ndërmarrjet kryesore energjetike në vend. Asetet e korporatës janë nën pronësi të plotë të Qeverisë së Kosovës. /Rel/