VV e fiton Leposaviqin dhe Mitrovicën e veriut, PDK e merr Zveçanin dhe Zubin Potokun

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka publikuar rezultatet preliminare në zgjedhjet e jashtëzakonshme të komunave veriore të vendit.

Sipas KQZ-së, në Leposaviq fitues është Lulzim Hetemi, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje me 100 vota apo 73.5 përqind, ndërsa e dyta është kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës, Albulena Behluli-Hetemi, me 34 vota apo 25%, si dhe e Aleksandar Jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovës me 2 vota apo 1.5%.

Ndërkaq në Zubin Potok, zyrtarisht fitues u shpallë Izmir Zeqiri, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës me 196 vota apo 52.1%, kurse kundërkandidati i LVV-së, Flatron Hasani, doli me 180 vota apo 47.9%.

E në Zveçan nga tre kandidatë sa ishin në garë i pari doli Ilir Peci nga PDK me 114 vota apo 60%, i dyti renditet Fetah Peci i LVV-së me 71 vota apo 37.4%, e kandidatja e pavarur serbe, Sladjana Pantoviq, i mori pesë vota apo 2.6%.

Në Mitrovicën e veriut fitues doli Erden Atiq nga LVV me 519 vota apo 66.5%, i dyti doli Taulant Kelmendi i PDK-së, me 186 vota apo 23.8%, i treti ishte Betim Osmani nga iniciativa qytetare “Mitrovica” me 75 vota apo 9.6%.