Lum Dervishi, Kenan Hasani e Okan Hasani janë tre personat të cilët po akuzohen për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla, ato po hetohen nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”. Ndaj të njëjtëve tanimë është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaj.
Arsye e sulmit sipas mbrojtjes së të dyshuarve po del të jetë një status që gazetari Syla ka shkruar për profetin Muhamed e profetin Isa, e që sipas tyre ky i fundit ishte tallur me ta.
Gazeta Insajderi ka siguruar aktvendimin e masës së caktuar, ku mes tjerash mësohet se çka ka deklaruar secili prej tyre.
Lum Dervishi, 24 vjeçar para trupit gjykues ka thënë se kanë qenë të detyruar të largohen nga vendi i ngjarjes, për shkak se janë sulmuar me mjete të forta.
“Ne nuk jemi larguar por na kanë sulmuar më shumë se 10 persona aty prezent që kanë qenë, na kanë sulmuar me mjete te forta siç kanë qenë gajbe te birrave, gur dhe gjësende tjera. Ndjej keqardhje që ka ndodh dhe nuk ka motive qysh i ceki prokurori, ka qenë e momentit për shkak se e ka fyer Pejngamberin a.s…”, teksa ka kërkuar që t’i shqiptohet një masë më e lehtë.
Insajderi ka siguruar dëshminë edhe të dy vëllezërve Hasani.
Kenan Hasani, 23 vjeçar ka deklaruar se rrahja e Sylës nuk ka qenë e planifikuar, ka ndodhur aty për aty.
“Ka qenë e momentit dhe nuk ka qenë as e planifikuar ose diçka tjetër edhe nga vend ngjarja nuk e kena pas qëllim me ik dhe për shkak të sulmit qe na kanë bë u dashte me u largu prej vendit se na kanë sulmuar me mjete të forta, me gur, me gajbe të birrave dhe sendeve tjera ku u dëmtua vetura dhe na. Neve na vjen keq për këtë rast që ka ndodh dhe s kemi dashur as na me ardhë puna deri këtu dhe ka qenë moment i çastit dhe ska pasur motive tjera me shumë për të cilat akuzohem, jam i gatshëm mu paraqit sa herë të jeta nevoja dhe mund t’i dorëzojë pasaportën letërnjoftimin”, ka thënë ai përcjell Insajderin.
Ndërkohë, i pandehuri tjetër, Okan Hasani është shprehur se kanë qenë në dijeni për lajmet dhe që kanë qenë bashkëpunues me policinë.
“Nuk e pranoj paraburgimin e para se na nuk kena pas mu arratis por qysh ka ndodh rasti e shpjeguan edhe këta, na edhe mas rastit kena qarkullu lirshëm, i kena pa lajmet edhe krejt dhe skena tentu me u arratis ose diçka, masi na ka ardhë telefonata prej policisë na skena rezistuar kena pranu kanë ardhë na kanë marrë, edhe për zhdukjen e provava na e pranojmë ashtu si na shpjeguan”, ka thënë 24 vjecari.
Deklarata e prokurorit Special, Afrim Shefkiu
Prokurori Shefkiu i ka përshkruar veprimet e të dyshuarve si motive ekstreme fetare pasi Syla ishte sulmuar pas një postimi në rrjetin e tij social.
“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se me datë 11.04.2023, rreth orës 23:00 min në Prishtinë të motivuar me ideologji ekstreme radikale Islamike e me motiv të nxitjes së urrejtjes fetare përçarjes dhe mos durimit ndaj gazetarit Valon Syla për shkak të një profili të tij në rrjetin social “Facebook” për profetin Muhamed dhe profetin Isa, paraprakisht e përcjellin të dëmtuarin nga TV “T7” dhe me të arritur afër restorantit, në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë duke ia rrezikuar sigurinë e sulmojnë fizikisht me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore për çka edhe si rast urgjent i njëjti dërgohet në Qendrën Klinike Universitare-QKUR-ë në Prishtinë për ndihmë mjekësore, por me punën operative të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të njëjtit me datë 12.04.2023 arrestohen“, thuhet në dosjen që Insajderi e ka siguruar.
Kujtojmë se tre të dyshuarit ishin arrestuar një ditë më pas nga Policia e Kosovës.