Presidentja Osmani ta dorëzojë mandatin nëse Kushtetuesja i rrëzon dy deputetët

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur mbi efektin që do ta kishte në mandatin e presidentes Vjosa Osmani në rast se Gjykata Kushtetuese vendos në favor të kërkesës së ish-deputetit Veton Berisha, për shpalljen e mandateve të dy deputetëve të “Romani Iniciativa” si të pavlefshme.

Hasani tha se Osmani duhet ta dorëzojë mandatin në rast se Gjykata Kushtetuese i shpallë të pavlefshme mandatet e dy deputetëve, të cilët kanë marrë pjesë në seancën e vitit 2021 për votimin e presidentes.

“Efekti juridik është ky; në qoftë se vjen deri te anulimi, nëse në raundin e parë dhe të dytë ekziston… përveç Kushtetutës ekzistojnë edhe dy aktvendime të Gjykatës Kushtetuese në rastin Pacolli dhe Thaçi, të cilat kërkojnë që në raundin e parë dhe të dytë të jenë në kuti 80 vota, vetëm në herën e tretë ka ndryshuar standardi që të jenë 60 vota. Kjo e ka ndërtuar një standard, nëse në rastin e parë nuk kanë qenë 80 deputetë në sallë, është kaluar në fazën e dytë, nëse nuk kanë qenë as në fazën e dytë, nuk ka mundur të shkojë në fazën e tretë”.

“Nëse konstatohet se u është cenuar e drejta kushtetuese, për pasojë dy mandate janë të pavlefshme ose jo kushtetuese, nuk diskutohet ajo punë, domethënë (presidentja) duhet ta dorëzojë mandatin dhe të kthehet në pikën zero, nuk mund të ketë interpretim tjetër”, tha Hasani në Rubikon të Klan Kosovës.

I pyetur se a ka afate për kontestimin e ligjshmërisë së zgjedhjes së presidentes së vendit, Hasani tha se kjo çështje nuk lidhet me afate.

“Pas dhjetë vjetësh mund ta sfidosh dhe të gjendet një dispozitë që është jo kushtetuese dhe e ka efektin e njëjtë sikur ditën kur është zgjedhur ligji edhe pas dhjetë vjetëve. Nuk ka lidhje koha, gjykata i përcakton pasojat juridike, mund ta përcaktojë a i afekton apo jo”, sqaroi Hasani.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese shtoi se në një skenar të tillë, Kuvendit do t’i duhet të votojë përsëri për president.

“Dy vendime janë: një aktgjykim dhe një aktvendim i Gjykatës Kushtetuese, vetëm përsëritet votimi në Kuvend dhe u krye muhabeti”, përfundoi Hasani.

Hasani: Nëse shefi i AKI-së e ka vizituar Gjykatën Kushtetuese, ka bërë vepër penale

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur për shkrimin e publikuar në “Paparaci” ku thuhet se shefi i AKI-së, Petrit Ajeti, është takuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, për ta informuar këtë të fundit për gjyqtarët e Kushtetueses se kinse po përfshihen në krim.

Sipas Hasanit, nëse shefi i AKI-së ka vizituar Gjykatën Kushtetuese, ai ka bërë vepër penale e abuzimit të detyrës zyrtare.

“AKI-ja asnjë autorizim dhe asnjë pikë bashkëpunimi me Gjykatën Kushtetuese nuk e ka, asnjë. AKI mund ta vizitojë Gjykatën Kushtetuese vetëm nëse ka ndonjë raport personal, apo muhabet me dikë, ose kur të zgjidhet kryetari shkon me ia uru, e as kjo nuk është me vend”, tha Hasani.

Hasani tutje tha se Gjykata Kushtetuese nuk e ka mandat luftimin e krimit, prandaj AKI-ja nuk merr leje nga ky institucion për zhvillim të hetimeve qoftë brenda institucionit të gjykatës.

“Nëse AKI-ja ka informata se kushdo qoftë, nga vozitësi deri të shefi i GJK-së, janë të involvuar në aktivitete që rrezikojnë sigurinë e shtetit, ai ose ajo mund t’i raportojë dhe i dërgon pjesën jo penale shefit të shtetit dhe prokurorisë. Asnjëherë nuk guxon dhe nuk ka të drejtë ta lajmërojë dhe t’i thotë kryetares së Gjykatës me supozim se aty fshihet një terrorist, sepse nuk është mandat i Gjykatës Kushtetuese ta luftojë krimin”.

“Ai nuk guxon të shkelë në oborrin e Gjykatës Kushtetuese, agjentët e AKI-së nëse kanë me operu, me përgju, me bë diçka aty, ata i kanë procedurat se si marrin leje për një gjë të tillë, por lejen nuk e marrin nga Gjykata Kushtetuese”.

“Në qoftë se ka shku aty, kjo është vepër penale e abuzimit me detyrën. Bashkëpunimi i dy institucioneve është si me thënë një farmaci ka bashkëpunuar me një xeherore. Sikur xeherorja e ‘Trepçës’ edhe farmacia, nuk e kanë as lidhjen më të vogël”, tha Hasani në Rubikon me Adriatik Kelmendin.