VV-ja merr 2 milionë euro të hyra, partitë opozitare nën 700 mijë: Çka thotë raporti i KQZ-së për financat e partive?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka publikuar sot raportet e paaudituara financiare të partive politike për vitin 2022.

Në njoftimin e KQZ-së thuhet se duke pasur parasysh se ende nuk është bërë auditimi i këtyre raporteve, ato mund të pësojnë ndryshime.

“Këto raporte financiare janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit”.

Pas përfundimit të procesit të auditimit nga auditorët e jashtëm, raportet e audituara do të publikohen në të njëjtën hapësirë në ueb faqen e KQZ-së”, thuhet në njoftim.

Sipas këtyre të dhënave, të hyrat e partisë në pushtet janë dukshëm më të larta se sa të partive të tjera. Veç VV-ja kap shifra milionëshe. Ajo që bie në sy është edhe raporti për partinë që bashkëqeverisë me VV-në, pra Lista Guxo, e cila në secilën tabelë, ka shifrat 0.00.

Të hyrat e VV-së
Sipas raportit, Lëvizja Vetëvendosje gjatë vitit të kaluar ka pasur të hyra gjithsej 2 milionë e 52 mijë e 868 euro.

Raporti tregon se Vetëvendosje nga këto para ka shpenzuar 1 milion e 308 mijë e 147 euro.

Vetëm për paga e kompenzime, partisë së Kurtit i shkuan 703 mijë e 689 euro.

VV-ja shumicën e të ardhurave i siguron nga buxheti i shtetit. 1,990,225 euro gjithësej. Ndërsa donacione dhe kontribute në të holla, VV ka marrë 29 mijë e 943 euro.

Nga kjo del se Vetëvendosjes për këtë vit i kanë tepruar 744 mijë e 721 euro.

Të hyrat e PDK-së
Partia Demokratike e Kosovës, sipas këtij raportit, gjatë vitit 2022 ka pasur 673 mijë e 710 euro të hyra. Nga këto, PDK ka shpenzuar 612 mijë e 638 euro.

Partia më e madhe opozitare nga buxheti ka përfituar 660 mijë e 538 euro, ndërsa donacione dhe kontribute në të holla ka marrë veç 1 mijë euro.

Paga dhe kompenzimet brenda PDK-së, sipas këtij raporti, kapin shifrën e 456 mijë e 315 euro.

Nga të gjitha të hyrat e shpenzimet del se partia e Memli Krasniqit ka dalë në “plus” për 61 mijë e 71 euro.

Të hyrat e LDK-së
Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë vitit të kaluar ka pasur të hyra gjithsej 526 mijë e 200 euro thotë raporti. Ndërkohë, partia më e vjetër në vend, ka shpenzuar 428 mijë e 524 euro.

Prej buxhetit, Lidhja Demokratike, ka përfituar 525 mijë e 200 euro. Donacione sikurse PDK-ja edhe LDK, ka përfituar veç 1 mijë euro.

LDK-së, 282 mijë e 402 euro i shkojnë për paga dhe kompenzime. Në bazë të këtyre të dhënave del se “partia e ekonomistëve” ka kursyer 97 mijë e 675 euro.

Të hyrat e AAK-së
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë vitit 2022 sipas raportit ka pasur 279 mijë e 700 euro të hyra.

Partia e Ramush Haradinajt ka shpenzuar 219 mijë e 370 euro.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të gjitha të hyrat i ka nga buxheti. Nuk ka as edhe një euro nga donacionet dhe kontributet në të holla.

126 mijë e 752 euro AAK paguan për paga e kompenzime.

Nga këto të dhëna del se partia e tretë opozitare, për vitin 2022 ka pasur suficit prej 60 mijë e 329 euro.

Të hyrat e Listës Serbe

Lista Serbe, e cila nuk është fort e diciplinuar, sidomos me seancat e Kuvendit, nga buxheti i shtetit ka përfituar 350 mijë euro. Sipas raportit, të pa shpenzuara i kanë mbetur 131 mijë e 162 euro.