Kryeministri i vendit, Albin Kurti pas takimit me homologun e tij nga Mali i Zi Dritan, Abazoviq tha se marrëveshja e nënshkruar për shërbime ajrore është hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për rregullimin e hapësirës e ajrore mes dy republikave.
Kurti në një konferencë për media ka thënë se e gëzon fakti që edhe Mali i Zi i ka ratifikuar tri marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit.
Duke folur për marrëveshjen për shërbime ajrore, ai tha se “Marrëveshja me Malin e Zi mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore e kohës së fluturimit për 15 minuta”.
Kurti po ashtu tha se është mirënjohës ndaj shtetit malazez, i cili gjatë luftës së fundit në Kosovë u bë strehë e shumë refugjatëve nga Kosova.
Ai po ashtu tha se sot qytetarët e Kosovës, jo vetëm që shkojnë në Mal të Zi për të pushuar në bregdet, por edhe janë investitorë ekonomik.
“Pata kënaqësinë të mirëpres në takim kryeministrin Abazoviq me të cilin biseduam për marrëdhëniet e mira fqinjësore mes dy vendeve. Mundësitë e mira për dy vendet tona ishin në fokus të këtij takimi. Mali i Zi e njohu Kosovën në vitin 2008. Jemi mirënjohës që në kohëra më të vështira, Mali i Zi u bë strehë për Kosovën për mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës që u dëbuan nga regjimi i Millosheviqit…Qytete të shumta i hapën zemrat, duke i strehuar refugjatët nga Kosova…Sot qytetarët e Kosovës jo vetëm që kanë pushuar në bregdetin e Malit të Zi, por janë edhe investitorë të rëndësishëm, të cilët i kontribuojnë ndërlidhjes ekonomike mes dy vendeve tona…Sot punojmë ngushtë si dy shtete fqinje për të promovuar paqen e sigurinë”, ka thënë Kurti.