Disa qytetarë serbë kanë filluar të protestojnë afër urës së Bistricës pas plagosjes së serbit, M.J., raporton portali serb “Kossev”.
Protestuesit aktualisht po lëvizin në këmbë drejt urës së Bistricës, nga vendi i njohur si Balaban, ku kanë ardhur me automjete private por edhe në mënyrë të organizuar.
Ata po kërkojnë largimin e Policisë nga Veriu.
Në pankartat që po mbajnë serbët shkruan “Largohuni nga këtu”, “nuk i përkisni këtij vendi”, “Evropë, po shtien mbi ne”.
Ndërsa mëngjesin e sotëm në afërsi të urës është shfaqur tabela “Forcat speciale të Kurtit qëllojnë mbi serbët”.
Lidhur me plagosjen e M.J. dje janë arrestuar katër zyrtarë policorë. Tre prej tyre nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar tjetër policor po ashtu për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast.
Mënyra se si policia e ka trajtuar këtë rast ësht kritikuar nga Ambasadori i SHBA’se Jeff Hovenier, ndërsa Inspektorati ka njoftuar për arrestimin e policëve.
“Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore në koordinim me prokurorinë hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot në orët e mbrëmjes katër zyrtarë policorë me dyshimin se kanë kryer veprën penale “mos lajmërim i veprës penale” dhe njëri nga ta është i dyshuar për veprën penale “vrasje – në tentativë” (lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës). Me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë” thuhet në njoftimin e IPK-së.