Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të papranueshëm vendimin e Gjykatës Supreme për lirimin nga akuza të Naser Pajazitajt të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitaj.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ministrja Haxhiu tha se për këtë janë të nevojshme reformat e qeverisë Kurti për drejtësi.
“Po i komentoj vendimet e gjykatës supreme sepse për mua është e papranueshme që një person i cili dënohet me burgim të përjetshëm, aq lehtësisht të lirohet nga akuza, ja pse reformat që kemi nisur si MD dhe si Qeveri e Kosovës janë të rëndësishme”, tha ajo.
Më 23 qershor 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj, në rigjykim e pati dënuar me dënim të përjetshëm Naser Pajazitajn.
Kundër këtij aktgjykimi, në Gjykatën e Apelit kishin parashtruar ankesë mbrojtësit e Pajazitajt, me pretendimin se ka shkelje esenciale, vërtetim i gabuar i gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënimin.
Ndërsa, prokuroria me parashtresë kishte propozuar që ankesa e mbrojtësve Kollçaku dhe Tahiri të refuzohet si e pabazuar ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.
Ky rast kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë, ku pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Por, në të dy rastet, aktgjykimet ishin anuluar nga Gjykata e Apelit, përkatësisht Gjykata Supreme dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017, Naser Pajazitaj akuzohej se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan, në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.
Naser Pajatizaj u ngarkua me veprën penale “vrasje e rëndë”.