Nisja e gjykimit në Hagë – gjithçka që ndodhi brenda tri ditësh

Dita e nisjes së gjykimit për “Gjarprin”, “Lulin”, “Naimin” e “10-shin” nisi në mëngjesin e 3 prillit.

I pari që u deklarua edhe një herë për pikat e aktakuzës ishte ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili përsëriti “jam plotësisht i pafajshëm”.

“E kuptoj aktakuzën e ndryshuar dhe jam plotësisht i pafajshëm”, u shpreh Thaçi përpara trupit gjykues, njofton Klankosova.tv.

I pafajshëm u deklarua edhe ish-bashkëpartiaku i Thaçit, Kadri Veseli, veçse ky pati edhe pakënaqësi për vonesat në lidhje me gjykimin.

“E shprehi pakënaqësinë time për një vonesë të tillë dyvjeçare e gjysmë. Megjithatë iu falënderoj.  Jam tërësisht i pafajshëm”, është shprehur Veseli.

Fajësinë nuk e pranoi as Rexhep Selimi, i cili tha se “jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”.

Pajtueshmëri për aktakuzën s’pati as ish-kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili tha se nuk mban përgjegjësi për të.

“Nuk kam asnjë lidhje me asnjërën nga pikat që i listoi prokurorja. Aktakuzën e kuptoj kështu siç është, por nuk pajtohem me të, pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza”, ka thënë Krasniqi.

Pas deklarimit për pafajësinë e tyre, radha i erdhi kreut të Prokurorisë së Specializuar, Alex Whiting, i cili për ish-krerët e UÇK-së tha se kishte një “anë të errët” të udhëheqjes së tyre dhe se “ky është objekti i gjykimit që po fillon sot”, tha ai.

Whiting pretendon se provat që do t’i paraqes prokuroria do të tregojnë që katër të akuzuarit në rolin e tyre si udhëheqës të lartë në Shtabin e Përgjithshëm, mbështetën dhe zbatuan një politikë e cila sipas tij vinte në shënjestër ata persona që konsideroheshin si kundërshtarë, përfshirë ata që akuzoheshin si kolaboracionistë.

Tutje, ai tha se aktakuza përfshinë qindra burgosje në të gjithë Kosovën dhe mbi 100 vrasje, që sipas tij, shumica e viktimave ishin shqiptarë të Kosovës.

“Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së ku katër të akuzuarit ishin ata më të rëndësishmit përqafojnë në komunikimet dhe deklaratat e veta një politikë të shprehur shumë qartë të shenjëstrimit të atyre që perceptoheshin si tradhtarë, përfshirë edhe kundërshtarët politikë”, tha Whiting, njofton Klankosova.tv.

Kur Whiting ia nisi të flasë për secilin veç e veç, e kur fjala ishte për Thaçin, ai tha se ish-presidenti i vendit kishte shkuar fshehurazi disa herë në Hagë për t’iu dhënë prokurorëve të ZPS-së një intervistë të zgjatur dhe të videoinçizuar.

“Gjatë këtyre intervistave, mes një sërë pranimesh të rëndësishme, ai mohoi shumëçka lidhur me rolin e tij gjatë luftës dhe rolin e UÇK-së. Thaçi pretendoi se UÇK-ja nuk kishte asnjë funksion deri në nëntor të 98-ës, edhe pas kësaj date ekzistonte vetëm letër. Ai mohoi gjithashtu se kishte ndonjëherë dijeni për ndalimet”, tha Whiting.

Më të nisur dita e dytë e gjykimit, fjalën e mori pala mbrojtëse e katërshes së UÇK-së, ku avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, tha se klienti i tij s’kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime lufte.

Kehoe foli edhe për Marrëveshjen e Rambujesë, për të cilën tha se Thaçi nuk mund të vendoste vetë që ta nënshkruante.

“Aftësia e Thaçit që ta nënshkruante marrëveshjen vihej në dyshim nga një sërë faktorësh. Duhej të ekzistonte njëfarë aprovimi nga Adem Demaçi që ishte autoritet suprem politik i UÇK-së”, është shprehur Kehoe, njofton KlanKosova.tv.

Pas avokatit, fjalën e mori vetë Thaçi, i cili tha se i vjen keq për çdo viktimë që ka humbur jetën gjatë luftës.

“Viktimat nuk arrijnë të marrin drejtësi kur ndiqen të pafajshmit. Një padrejtësi nuk mund të zgjidhet me një padrejtësi tjetër”, ka deklaruar Thaçi ndër të tjera.

Thaçi tutje tha se ishte bashkësia ndërkombëtare ajo që i ka thënë se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për ta hequr “renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovës”, teksa shtoi se sakrifica për Specialen “ia ka vlejtur”.

“Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafik organesh dhe se ‘Shtëpia e Verdhë’ s’ka ekzistuar kurrë”, tha Thaçi.

Pas Thaçit, radha për të folur i erdhi avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson, i cili tha se s’ka asnjë provë që klienti i tij ka kryer ose nxitur ndonjë krim.

“Nuk ka asnjë provë që ai të ketë qenë i pranishëm në çfarëdo krimi, të ketë autorizuar apo nxitur një krim ose politikë kriminale, apo të ketë marrë ndonjë raportim të ndonjë krimi të kryer”, është shprehur Emmerson.

Me të përfunduar fjalën e tij mbrojtëse, nga Emmersoni fjala kaloi tek “10-shi” i UÇK-së, Rexhep Selimi, i cili tha se “të ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare do të thoshte të ishe armiku i Serbisë, mund të arrestoheshe sikur vëllai im e mund të vriteshe”. Ai tutje tha se UÇK-ja s’numëronte shumë njerëz, por sipas tij, vullneti ishte i madh.

E, menjëherë pas Selimit, fjalën e mori avokati i tij, David Young, i cili tha se akuzat e ZPS-së mund t’ia heqin lirinë Selimit për së paku edhe 2 vjet.

Ky edhe ishte fundi i ditës së dytë të gjykimit.

Ndërsa, dita e tretë nisi me të vetmin të akuzuar, Jakup Krasniqin. Në fjalën e saj, avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, tha se klienti i saj nuk ishte përgjegjës për të gjitha komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja.

Ajo iu drejtura prokurorisë duke thënë se duket që është pjesë e propagandës kundër UÇK-së.

Kurse, dita e tretë e gjykimit në Hagë u mbyll me deklaratat e Jakup Krasniqit, i cili tha se “është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së”, duke shtuar se vetë ai ishte pjesë e kësaj partie politike.

“Unë vet isha anëtar i LDK-së. Familjarët e mi ishin anëtarë të LDK-së. Vetëm një mendjeje të çoroditur mund t’i ketë lindur ideja që unë kam mundur të isha pjesë e persekutimit tim, të familjarëve të mi dhe bashkëluftëtarëve të mi”, është shprehur Krasniqi.