Rexhep Selimi ka marrë fjalën në seancën e sotme të gjykimit ku përsëriti se është i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ai tha se nuk ka frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia, duke shtuar se dallimet politike me të akuzuarit e tjerë s’duhet të shërbejnë si fakte juridike.
“Gjithmonë kam thënë dhe e përsëris. Nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë. Dallimet dhe opinionet mes nesh nuk duhet të përdorën si fakte juridike, e po ashtu kundër neve të bashkakuzuarve. Kam shumë besim se të gjithë së bashku do ta nxjerrim të vërtetën e UÇK-së se jemi të pafajshëm. Unë bashkë me bashkëluftëtarët e mi do të kthehemi”.
Selimi tha se në atë kohë donin që UÇK-ja të ishte një ushtri e armatosur mirë dhe e organizuar, por se këtë s’arritën ta bëjnë.
“Ishim të dobët, të paunifromuar dhe të paorganizuar. Mbetem luftëtarë pa komandant [Adem Jashari]. Disa ranë duke luftuar, e disa e mbijetuam luftën deri në përfundimin e saj. Donim ta kishim një ushtri të armatosur mirë, donim, por s’mundëm. Donim ta mundnim Serbinë, por s’mundëm pa ndihmën e shteteve tjera. U munduam për ta bërë këtë për të mbijetuar në vendin ku kishim lindur. S’kishim kazerma, por kishim shtëpi të familjeve. S’kishim akademi ushtarake. S’kishim uniforma. Disa i blenim disa i ngjyrosim vetë që të dukeshim si ushtarë. Rrobat e punëtorëve që të dukeshin si rroba të ushtarëve”.
Selimi tha se UÇK-ja nuk i ishte përgjigjur Serbisë në të njëjtën mënyrë siç ajo kishte bërë në Kosovë, derisa shtoi se luftën nuk do ta zgjedhte as si profesion as si pasion, por i erdhi e imponuar pas brutalitetit serb mbi shqiptarë.
“Lufta s’është e mirë asnjëherë e as për askënd”.
Në dhomën e gjykimit, Selimi foli edhe për rininë e tij dhe vendimin që mori për t’iu bashkuar UÇK-së.
“Në fillim të viteve 90-ta, isha student i letërsisë në Universitetin e Prishtinës. U përshkallëzua dhuna, më kujtohet kur na dëbuan nga konviktet. Shiheshin atublinda duke nxjerrë studentë shqiptarë jashtë. Shqiptarët u larguan nga puna, s’kishte më as policë shqiptarë, as mjekë, as nëpunës. Të rinjtë s’mund të luanin as futboll, u mbyll TV i vetëm dhe gazetat. Dhuna ndaj shqiptarëve përshkallëzohej”.
Selimi përmendi edhe një shok të tij që Serbia e kishte marrë dhunshëm në ushtrinë jugosllave.
“Jetullah Deskun e dërguan në shërbim ushtarak dhe e kthyen në arkivol duke thënë se e ka vrarë veten”, tha Selimi, duke përmendur edhe rastin e helmimeve të nxënësve shqiptarë.
“Isha në moshën e adoleshencës kur vijoja mësimet në Klinë në shkollën “Lugj Gurakuqi”, që Serbia ia ndërroi emrin dhunshëm. Filluan t’i helmonin nxënësit e shkollës sime, mund t’i gjeni ato fotografi. I shihja moshatarët duke vuajtur dhe nxjerr shkumë nga goja. Ky gjah vazhdonte pa ndalë si presion sistematik që t’i bëjnë ata ta lëshojnë Kosovën. Shumë bashkëmoshatarë u detyruan ta braktisin Kosovën. Në atë kohë kisha dy opsione. Të qëndroja dhe të prisja që të helmohesha, të dërgohesha me dhunë në ushtrinë vrastare të Serbisë, apo ta lëshoja Kosovën dhe t’i bashkohesha familjes në mërgim. Në mes këtyre dy opsioneve, zgjodha një rrugë të tretë. Unë iu bashkova një familje më të madhe, familjes Jashari në Prekaz. Lash ëndrrat e mira të rinisë, lash studimin e letërsisë dhe u bëra pjesë e UÇK-së.
Selimi tha se atëherë UÇK në atë kohë e kishte emrin ushtri, por s’numëronte shumë njerëz.
“Të ishe pjesë e UÇK-së do të thotë të ishe armik i Serbisë, mund të vriteshe apo e pakta të arrestoheshe, siç u arrestua vëllai im apo shoku im që e mbytën në dhomat e hetimit në Prishtinë. Isha i kërkuar nga Serbia, më ndiqnin për arrest apo për të më vrarë”.
Selimi foli edhe për qëndrimin e tij në familjen Jashari para se ajo të sulmohej nga forcat serbe.
“Prej asaj kohe qëndroja me familjen Jashari, qëndroja me Ademin, Hamzën e fëmijët. Këta emra fëmijësh u vranë pastaj nga një sulm i policisë serbe mbi familjen Jashari. Në ditën e sulmit s’ndodha aty, prandaj jam gjallë”.