Vdes një paciente nga koronavirusi në Kosovë

Ka ndërruar jetë edhe një paciente tjetër e infektuar me Covid-19.

Viktima është një 63 vjeçare nga Rahoveci, dhe ishte duke u trajtuar në Klinikën Infektive.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express, kryetari i Rahovecit Smajl Latifi.

“Pacientja në fjalë që një javë ka qenë e shtrirë në Klinikën Infektive. Ka pasur edhe probleme të tjera shëndetësore. Pra ka qenë në dializë. Ka ndërruar jetë sot në Infektivë”, ka thënë për Express, Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit

63 vjeçarja ishte paciente e cila vuante edhe nga dializa. Ky rast çon në 29 numrin e të vdekurve në Kosovë që lidhen me virusin Covid-19.

NJOFTIM NGA KLINIKA INFEKTIVE-QKUK

Klinika Infektive ka njoftuar se sot ka përfunduar me vdekje pacientja H.E.(1957) nga Komuna e Rahovecit.

Pacientja ishte pranuar në Klinikën Infektive me datën 03.05.2020 në gjendje të rëndë, paraprakisht e konfirmuar për Covid-19 dhe me disa sëmundje të tjera shoqëruese.

Kjo është vdekja e 29 në nivel vendi nga Covid-19 dhe e tetëmbëdhjeta në Klinikën Infektive nga kjo sëmundje.