Presidentja Vjosa Osmani mund të rrëzohet nga pozita e presidentës. Rrjeti është mbushur me interpretime se një vendim i Gjykatës Kushtetuese në favor të kryetarit të Partisë Egjiptiane, mund të çoj në rrëzimin e presidentës. Çka dihet deri më tani?
Në prill të 2021, Veton Berisha, kryetar i Partisë Egjiptiane, dorëzoi një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke kontestuar vendimin e Gjykatës Supreme në lidhje me dyshimet për orkestrimin e votimit nga ana e “Romani Iniciativës”, në vendbanimet me shumicë serbe.
Ndonëse kanë kaluar gati dy vite, Berisha, që dikur ishte edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, është ende në pritje të një vendimi.
Veton Berisha, në një përgjigje për Nacionalen, theksoi se çuditet me faktin se Kushtetuesja ende nuk ka vendosur për këtë lëndë edhe pas dy viteve.
“Po bëhen dy vite që e kemi dorëzu ankesën, po bëhen dy vite që kjo lëndë i ka tejkalu krejt afatet e mundshme logjike, për faktin se sipas tyre kjo është kërkesë individuale, nuk e kanë ndonjë afat. Por nuk nënkupton që lënda aq e ndieshme, të lihet pa afat. Gjatë kësaj periudhe janë duke u shkel shumë të drejta të njeriut, si e drejta e votës, e drejta e përfaqësimit, mohimi i qasjes së barabartë në drejtësi. Gjykata Kushtetuese nuk i kushton rëndësi fare kësaj pune. Jam tepër i zhgënjyer, ngase kam besuar në drejtësi në Kosovë, në Gjykatën Kushtetuese, nuk po e prijudikojë vendimin, unë besoj se ne jemi në të drejtën tonë. Unë çuditem qysh Kushtetuesja me zgjat dy vite lënda”, vazhdoi ai.
Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese deklaroi për Nacionalen se po e shqyrton lëndën, ndërsa njohësit e së drejtës kushtetuese vlerësojnë se Kushtetuesja i ka tejkaluar të gjitha afatet e arsyeshme për të vendosur për këtë lëndë. Në fakt, gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të Gjykatës Kushtetuese, duke e pyetur për rrjedhën e lëndës dhe për mosrespektimin e afateve të parapara ligjërisht.
“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar dhe Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje në këtë rast. Gjykata i trajton të gjitha kërkesat në bazë të procedurave standarde të parashikuara për shqyrtimin e tyre dhe kohëzgjatja e vendimmarrjes në kërkesat e parashtruara nuk varet detyrimisht nga koha e regjistrimit të tyre, por nga kompleksiteti i çështjes që mund të ngërthejë një rast konkret.” – theksoi Kushtetuesja.
Për ish-gjygjtarin e Kushtetueses, Kadri Kryeziu, për RTV Dukagjinin ka thënë se presidentja mund të rrëzohet.
“Kur një autoritet shteti merr detyrën e përcaktuar në Kushtetutë dhe deputetët të cilët kanë votuar nuk kanë legalitet dhe legjitimitet të plotë, atëherë detyra e tyre është e përkohshme. Nëse rastin konkret, kandidati për deputet e fiton, presidentja e shtetit duhet të jap dorëheqje.” – ka thënë Kadri Kryeziu.
Edhe ish-kryetarja e Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka kujtuar kohën e rrëzimit të Qeverisë Hoti.
Ajo për RTV D ka thënë se situata është e ngjashme tash edhe në rastin e presidentës dhe kësisoj mund të shkrakohet edhe ajo.
“Ne kemi pasur tashmë një situatë të tillë, apo pak a shumë të ngjashme me këtë, rasti i ish-kryeministrit Avdullah Hoti dhe besoj që kjo situatë do të ishte bukur shumë e ngjashme edhe me atë situatë dhe me siguri që atëherë presidentja aktuale do të duhej të shkonte në rivotim apo konkretisht do ta humbte mandatin e presidentes sepse nuk do të ishte sigurt a i kishte ato vota të cilat i ka marrë kur është votuar para dy viteve, dhe pastaj do të duhej të shkohej në rivotim” – ka deklaruar Valdete Daka.
Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese.