Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që ta shpallë të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së tij nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.
Gjykata ka konstatuar se disa nene të këtij ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Sipas vendimit të Kushtetueses, ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial.
Ndryshe, Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës është miratuar në Kuvend në lexim të parë dhe në lexim të dytë. Për kanë votuar deputetët e mazhorancës, ndërsa nga opozita e kanë kundërshtuar ashpër.
Edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës është deklaruar kundër këtij ligji pasi sipas tyre, e cenon rëndë pavarësinë e këtij organi kushtetues.