Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se janë të pavërteta konstatimet e deputetëve të opozitës për “humbjet e milionave” në Fondin Pensional.
Derisa po raportonte në Komisionin për Buxhet të Kuvendit të Kosovës të premten, Murati ka thënë se perfomanca e Fondit Pensional është vetëm një për qind më negative sesa vitin e kaluar.
Ai ka thënë se nuk ndihet përgjegjës për mos emërimin e Bordit të Trustit.
“Një gjë që është shqetësuese janë deklaratat që janë bërë, edhe nga ju deputet Hoti, gjoja se Trusti po humb, ka humbje ditore, se gjoja ministri i Financave e paska lënë agjencinë pa bord. Kjo gjë nuk qëndron dhe ju po flisni për luhatje ditore. Është totalisht joserioze të bëni konstatime të tilla sepse aktualisht derisa po flasim performanca e Fondit Pensional për vitin aktual është 1 për qind më pak sesa përfundimi i vitit të kaluar. Luhatje të tilla në Fondin Pensional, do të thotë 1 apo 2 për qind, ndodhin në baza ditore”, ka thënë Murati, në një përgjigje ndaj deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti.
“Vitin e kaluar ka pasur bord. Më tregoni sa ka qenë rënia e Fondit Pensional kur ka pasur bord? Sa? 1 euro e 61 cent është vitin e kaluar. Ju lutem, mos hyni në gjërat që nuk i kuptoni sepse po shkaktoni panik te qytetarët”, ka thënë Murati.