Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se mungesa e bordit të Trustit Pensional po reflekton në rrezikimin e mjeteve të Trustit nëpër tregjet ndërkombëtare.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se prej 1 marsit Trusti Pensional është pa bord – dhe kjo po i rrezikon 2.5 miliardë euro.
“Pasojat tanimë po i bartim. Çmimi i njësisë së FKPK-së është në rënie nga 3 mars 2023 e këndej. Kjo po ndodh për shkak të disa sinjaleve për krizë të mundshme në tregjet financiare nga falimentimi i një banke në SHBA. Por, në mungesë të Bordit, nuk ka kush të marrë vendim për tërheqje të investimeve të Trustit Pensional nga tregjet financiare ku ka rënie”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se kjo është një papërgjegjësi e institucioneve.
“Mandati i anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional ka mbaruar më 30.11.2022, por është zgjatur edhe për tre muaj. Konkursi është shpallur para tre muajve më 02.12.2022, por deri më tani asnjë veprim nuk është ndërmarrë. Konkursi do të duhej të ishte shpallur disa muaj para se të mbaronte mandati i Bordit, në mënyrë që të kishte kohë të mjaftueshme për të zgjedhur Bordin e ri. Përveç kësaj, në mungesë të Bordit, kursimet e mbledhura nga Trusti gjatë këtyre muajve nuk do të mund të investohen në tregje financiare. Mazhoranca që qeveris me vendin e ka refuzuar projektligjin për tërheqje të mjeteve nga Trusti. Si do të përgjigjet tani?”, ka shkruar Hoti në Facebook.