Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit i cili dyshohet se ia dogji garazhin gazetarit Alban Selimi.
Lajmin për Telegrafin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“E nderuar, për rastin e gazetarit Selimi, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit ndaj të pandehurit, për shkak të veprës penale “Zjarrvënia””,ka deklaruar Ulaj.
Gazetari Selimi të enjten mbrëma përmes rrjetit social ka reaguar se dikush ka tentuar ta frikësojë atë me këtë akt.
“Dikush ia vuni flakën; me s’frikësua. S’ia arrijnë qëllimit!”, ka shkruar Selimi.
I dyshuari me inicialet A.L 42 vjeçar u arrestua të shtunën nga ana e policisë.
“Sot hetuesit e stacionit policor të Fushë Kosovës, kanë arrestuar një person të dyshuar për veprën zjarrvënie të raportuar me datën 16.03.2023, në Fushë Kosovë. Personi i arrestuar: A. L mashkull, 42 vjeç”, thuhej në njoftimin e policisë.